Vendosni fjalën kyçe....

“Ikni ose do hani plumbin” – Kandidati i opozitës për Durrësin Igli Cara denoncon kërcënimin e të rinjve të FRPD-së


Kandidati i opozitës për Durrësin Igli Cara ka denoncuar kërcënimin që u është bërë të rinjve  të FRPD-së, teksa ata po shpërndanin fletëpalosje në qytet.

Sipas denoncimit, një grup prej 10 personash u është afruar të rinjve duke i kërcënuar të largohen, në të kundërt ‘do hanin plumbin’.

Në një deklaratë publike, përfaqësuesi i kandidatit Cara i kërkoi policisë të verifikojë menjëherë personat që kanë kërcënuar të rinjtë e FRPD-së.

“Grupit të rinjve  të FRPD-së që po shpërndanin fletëpalosje në mbështetje të kandidatit Igli Cara i janë afruar një grup i përbërë nga rreth 10 persona duke kërcënuar të rinjtë demokratë që nëse nuk do largoheshin nga zona do hanin plumbin. Ndërsa dita e votimit po afron, bandat kriminale janë shpërndarë në zona të ndryshme të Durrësit  duke u bërë presion jo vetëm banorëve po edhe atyre që janë kundërshtarë të kryetares aktuale të bashkisë Durrës. Ne si forcë politike denoncojmë këtë rast kriminal dhe kërkojmë nga policia e Durrësit të verifikojë urgjentisht personat që kanë kryer këtë vepër penale e të marrë masat e duhura ndaj tyre.” – tha përfaqësuesi i Carës.

Ai u bëri thirrje qytetarëve durrsakë që të mos i tolerojnë e të mos tremben nga presioni i grupeve kriminale e të dalin masivisht të votojnë më 14 maj për të sjellë ndryshimin.

“E drejta e votimit dhe e drejta e votës së lirë është e drejtae të gjithë qytetarëve. Presioni dhe kërcënimi i çdo votuesi është metoda e marrjes së votave nga grupet e organizuara të kryetares së bashkisë Emirjana Sako. Kjo duket qartë nga prania e patronazhistëve dhe grupeve të organizuara të shpërndara kudo në Durrës. Kjo nuk na ndalon në punën tonë në ndryshimin e kësaj anarkie të krijuar nga njerëz të mbytur nga korrupsioni e krimi. U  bëjmë thirrje qytetarëve durrsakë të mos tolerojnë e të mos intimidohen nga presionet e bandave kriminale dhe më 14 maj të vendosin për kryetarin e ri të bashkisë Durrës.” – shtoi ai.