Dhjetëra mijëra izraelitë iu bashkuan protestave në të gjithë vendin të shtunën kundër planeve të diskutueshme të kryeministrit Benjamin Netanyahu për të forcuar kontrollin ndaj Gjykatës së Lartë.
Reforma e planifikuar, e cila do i jepte qeverisë kontrollin mbi emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe do t’i lejonte parlamentit të anulonte shumë vendime, u ndërpre pasi kundërshtarët organizuan disa nga protestat më të mëdha në rrugë të para ndonjëherë në Izrael, që tashmë kanë hyrë në javën e 18-të radhazi.
Qeveria akuzon gjyqtarët aktivistë se po uzurpojnë gjithnjë e më shumë rolin e parlamentit dhe thotë se rishikimi është i nevojshëm për të rivendosur ekuilibrin midis gjyqësorit dhe politikanëve të zgjedhur.
Kritikët thonë se reforma do heqë kontrollet dhe ekuilibrat jetike që mbështesin një shtet demokratik dhe do i japë pushtet të pakontrolluar qeverisë.
Turmat u mblodhën në qendër të Tel Avivit të shtunën në një tubim kundër planeve të cilat ata i shohin si një kërcënim ekzistencial për demokracinë izraelite.
Kanali 12 i Izraelit vlerësoi se 110,000 njerëz demonstruan vetëm në Tel Aviv, ndërsa demonstrata të tjera u mbajtën në qytete anembanë vendit.
Rishikimi i planifikuar është lënë në pritje në një përpjekje për t’i dhënë kohë presidentit izraelit Isaac Herzog, i cili luan një rol kryesisht ceremonial, për të ndërmjetësuar një kompromis midis koalicionit dhe opozitës që mund të shohë zbutjen e legjislacionit, por deri më tani bisedimet për kompromis nuk kanë përparuar.