Kompanisë private ushtarake ruse Wagner Group, e cila po lufton me trupat ukrainase në Bakhmut, i është premtuar municion i mjaftueshëm për të vazhduar betejën, tha të dielën kreu i kompanisë, Yevgeny Prigozhin.
Deklarata vjen pasi Prigozhin paralajmëroi se luftëtarët e tij do detyrohen të tërhiqen nga qyteti më 10 maj nëse kërkesat e tyre për municion nuk marrin zgjidhje.
Në një mesazh zanor të postuar në kanalin e tij Telegram, Prigozhin tha se Wagner mori ‘një udhëzim ushtarak në të cilin na u premtuan aq municion dhe armë sa na nevojiteshin për të vazhduar veprimtaritë tona’.
“Na u tha se ne mund të kryejmë aktivitete në Artyomovsk siç e konsiderojmë të nevojshme,” shtoi Prigozhin.
Ai tha gjithashtu se Gjenerali i ushtrisë Sergey Surovikin, zëvendëskomandanti i forcave ruse në Ukrainë, kishte për detyrë ‘të merrte të gjitha vendimet në lidhje me veprimet ushtarake të Wagner PMC në bashkërendim me Ministrinë e Mbrojtjes’.
Të premten, Prigozhin tha se personeli i Wagner po pësonte humbje të mëdha për shkak të asaj që ai e përshkroi si një mungesë municionesh prej 70%. Ai më vonë njoftoi se pozicionet e mbajtura nga Wagner do t’i dorëzoheshin grupit Akhmat, një njësi elitare nga Çeçenia e Rusisë.
Beteja e ashpër dhe e përgjakshme për qytetin minerar të Bakhmut, ka nisur prej disa muajsh. Prigozhin pretendon se forcat e tij kanë marrë kontrollin e pothuajse të gjithë qytetit, ndërsa ukrainasit po qëndrojnë në një zonë të vogël në pjesën perëndimore.