Kryeministri Edi Rama në një takim elektoral në Lezhë në prezantimin e kandidatit Pjerin Ndreu nuk la pa bërë deklarata thumbuese për opozitën dhe përçarjen e saj.
Rama mori si shembull distancimin e dy figurave nga bota universitare si Agron Gjekmarkaj dhe Mark Marku.
“Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj – u shpreh Rama – i përkasin shpirtërisht dhe tradicionalisht anës së familjeve historia e të cilave u shkrua me gjakun e konfliktit me regjimin komunist.
Sipas Ramës Marku dhe Gjekmarkaj u distancuan nga Berisha sepse donin Amerikën dhe nuk donin Moskën dhe komunizmin.
“Në 2021 në Lezhë ata kishin në krye dy njerëz, me të cilët unë kam pasur debat dhe nuk i kam pasur për zemër, por sido që të vijë puna ishin dy personazhe që vinin nga bota akademike, që përfaqësonin Lezhën e familjeve të persekutuar, që u përfshinë me PD sipas meje me naivitet të madh, por sidoqoftë u përfshinë jo për karrige, por për të vazhduar atë që ata e quanin lufta me regjimin. Ku është Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj? Me kë janë zëvendësuar dhe pse nuk janë këtu? Sepse ishin të parët që e kuptuan që kishin hyrë në vathën e gabuar. E kuptuan dhe ndryshe nga delet e tjera ngritën krye, e thanë publikisht atë që menduan dhe i lanë shëndenë tufës së deleve të një gërdalle non grata që vjen vërdallë nëpër Shqipëri. Edhe pse është bërë 80 vjeç dhe në vend që të rrijë në shtëpi e të mos lërë nam rrugëve vazhdon kërkon vota dhe flet për fitore.
Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj i përkasin shpirtërisht dhe tradicionalisht asaj ane. Anës së familjeve historia e të cilave u shkrua me gjakun e konfliktit me regjimin komunist. Anës e familjeve që trashëguan idenë e të djathtës jo nga jeta akademike, apo nga librat, por e trashëguan nga kujtimi i stërgjysheve dhe gjyshërve të tyre, të cilët komunizmi i persekutoi tek cdo qelizë e familjes. Kjo është e djathta.
Pyetja është pse u ndanë ata nga komunistët? Ca donin ata? U ndanë sepse ata donin Amerikën, Perëndimin, e donin Shqipërinë si në Perëndim, ata nuk donin Moskën nuk donin komunizmin”, tha Rama.