Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuza Ramës e thumbon Gjiknurin: 137 fluturime me avion privat, nënës së sekretarit të PS-së iu vodhën 6 milionë euro në shtëpi


Ish-kryeministri Berisha denoncoi kryeministrin Rama se përdor shprehje ‘halabaku’ gjatë takimeve me qytetarët ndërsa e akuzoi se ka bërë 137 fluturime me avion privat.

Gjatë një takimi me qytetarët në Lushnjë, ai shtoi se nënës së Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së Damian Gjiknuri i janë vjedhur në banesë 6 milionë euro.

Berisha u tha qytetarëve të mbledhur se të ecësh para me kryeministrin Rama është njësoj si të ecësh drejt greminës.

“Ai kalon nga sheshi në shesh e zorrën qorre në gojë. Me shprehje halabaku. Në vend të japë llogari përpiqet të mbrohet me shprehje banale, përpiqet të përdorë një fjalor me të cilin tregon qartësisht se për atë qenie qytetarët nuk ekzistojnë. Me atë fjalor dhe tallavanë e tij përpiqet të mbulojë vjedhjen e tmerrshme që ka bërë gjatë këtyre viteve. Me këtë regjim shkohet nga e keqja në zi. A nuk u sulm me tërbim ky për të vjedhur pasuritë e shqiptarëve, përdori bordet për të rritur çmimet, rriti energjinë për bizneset. Ky ka qëllim vetëm pasurimin e tij dhe klaneve të tij. Prandaj vjedh në mënyrë të papërmbajtur. Ka vjedhur 122 miliardë lekë në 9 muaj sipas KLSH-së. Të ecësh përpara me Edi Ramën do të thotë të ecësh drejt greminës. Do të thotë të vraposh drejt varfërisë. 137 udhëtime me avion në dispozicion, asnjë të tillë kancelari austriak. Zotëria me avion me dhomë gjumi luksoze, për vakanca. Të ëmës së Gjiknurit iu vodhën 6 milionë euro në shtëpi, nuk iu gjetën 500 mijë si Alda Klosi. Të gjitha para të vjedhura nga i biri.” – tha Berisha.