Vendosni fjalën kyçe....

Arlind Qori e aktivistë të Lëvizjes Bashkë takime në Yzberisht e Astir: 70 mijë banorë pa çerdhe, kopshte e shkolla publike


Kandidati i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori e aktivistë të saj kanë zhvilluar sot takime me banorë  të zonës së Yzberishtit.

Gjatë bisedave Qori e kandidatët për këshillin bashkiak prezantuan programin e  vizionin për Tiranën ndërsa theksojnë se Yzberishti është një nga lagjet më të lëna pas dore.

Ata theksojnë se qytetarët kanë shprehur mbështjen për Qorin e kandidatët për këshillin bashkiak ndërsa shtojnë se Tirana e Shqipëria kanë nevojë për qeverisje të ndershme, të përgjegjshme e kompetente.

Kandidati Qori deklaroi se në Astir e Yzberisht nuk ka asnjë çerdhe, kopsht a shkollë publike e u zotua se punët publike në Tiranë do i nisë pikërisht nga këto zona.

“ECIM BASHKË NË YZBERISHT. Sot një grup aktivistësh të Lëvizjes BASHKË përshkoi rrugët kryesore të Yzberishtit duke u takuar me qytetarë të shumtë. Me secilin qytetar patëm mundësi të prezantonim kandidatët tanë për kryetar dhe këshilltarë bashkiakë. Yzberishti është një nga lagjet më të lëna pas dore të Tiranës. Infrastruktura lë shumë për të dëshiruar, trotuaret mungojnë ose janë shumë të ngushtë, pluhuri është mbytës, ndërsa shërbimet publike janë në gjendje alarmuese. Si kudo nëpër Tiranë, qytetarët na shprehën mbështetjen e tyre edhe për 14 maj, edhe përtej ditës së zgjedhjeve. Tirana dhe Shqipëria kanë nevojë për qeverisje të ndershme, të përgjegjshme dhe komponente. Në zonën e Astirit dhe Yzberishtit, me mbi 70 mijë banorë por pa asnjë çerdhe, kopësht apo shkollë publike, qytetarët do të votojnë nëpër kapanone. Lëvizja BASHKË zotohet se punët në krye të Bashkisë Tiranë do t’i nisë nga ngritja e infrastrukturës publike në këtë zonë.” – shkruhet në postimin e Lëvizjes Bashkë.