Kryeministri Rama e ministri i Jashtëm grek kanë deklaruar ndarazi se arrestimi i kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Himarën Fredi Beleri pa prova të mjaftueshme nga prokuroria do ishte skandal absolut.
Kryeministri Rama tha se nëse për arrestimin e Fredi Belerit nuk ka prova të mjaftueshme, atëherë është një skandal i madh.
Ai deklaroi se është befasuar lidhur me ndalimin tij me akuzat për shitblerje votash ndërsa tha se hetimi në fjalë ka nisur shumë kohë përpara se të niste polemika e tij me Belerin.
“Për hir të vërtetës unë u befasova sic u befasuat edhe ju. Ky është një zhvillim që lidhet ne hetime terësisht të pavarura, të cilin nuk kemi pasë mundësi të marrim akoma informacione, sepse prokurori do t’i drejtohet gjykatës për masën e sigurisë. Por nga ana tjetër, me sa kemi mundur të mësojmë nga policia e shtetit, bëhet fjalë për një hetim që ka filluar prej disa kohësh dhe kohë përpara se të fillonte polemika ime më këtë personazh, që u nxit nga një intervistë e tij e dhënë për mediat greke për helenizimin e Himarës. Bëhet fjalë për një hetim që ka prova dhe do jetë vërtetë një skandal nëse nuk ka prova të mjaftueshme për këtë veprim, sepse bëhet fjalë për një kandidat që është në garë. Nëse nuk ka prova që ky njeri është i përfshirë drejtpërdrejt në veprimtari kriminale, atëherë do të ishte skandaloze.” – deklaroi Rama.
Ai shtoi më tej se ndalimi i Belerit është temë delikate pasi bëhet fjalë për element të veçantë që lidhen me minoritetin grek në Shqipëri.
“Kjo temë është shumë delikate, fakti që ky është një kandidat që ky përfaqëson sipas tij disa ndjenja dhe elementë të vecantë që lidhen me minoritetin grek në Shqipëri. Kjo është problem, është vërtetë problem. Kjo është një veprimtari që duhet të jetë e provuar katërcipërisht se ai është i përfshirë në veprimtari kriminale që ndikon direkt në procesin zgjedhor.” – shtoi kryeministri.
Ministri i Jashtëm grek Dendias ka folur në telefon me kryeministrin Rama pas arrestimit mesnatën e mbrëmshme të kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Himarën, Fredi Beleri.
Sipas mediave greke, Dendias ka njoftuar për rastin kryeministrin Mitsotakis.
“Arrestohet anëtari i minoritetit grek, Fredi Beleri, kandidat për kryetar Bashkie në Himarë të Shqipërisë, së bashku me një tjetër grek. Dua të them se nëse nuk ka prova të forta, arrestimi i një kandidati për Kryetar Bashkie dy ditë para zgjedhjeve është një skandal absolut. Për këtë kam njoftuar tashmë Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, z. Borrell, dhe ministrin e Jashtwm suedez, si Presidencë në detyrë. Qeveria greke do ta monitorojë këtë nga afër. E përsëris, diçka që e njohu edhe kryeministri shqiptar Rama. Arrestimi i një kandidati për kryetar Bashkie dy ditë para zgjedhjeve, nëse nuk ka prova të forta, përbën skandal.” – tha ai.
Arrestimi i Belerit u dënua ashpër nga zv.ministri i Jashtëm grek i cili e quajti ‘të papranueshëm’.
Më herët ambasadorja greke në Tiranë Kamitsi ishte në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë ku u takua me një zyrtar të lartë të këtijj institucioni.
Arrestimi i Belerit u dënua ashpër nga kreu i opozitës Berisha, kreu i Partisë së Lirisë Meta e kreu i PBDNJ-së Dule. Ata e quajtën ndalimin e tij sulm politik të orkestruar nga kryeministri Rama.
Ky i fundit tha pak më parë se ndalimi i Belerit është rast delikat dhe se nëse prokuroria nuk ka provat e mjaftueshme për këtë, do ishte diçka skandaloze.
Ndërkohë sipas urdhërarrestit të zbardhur, Beleri akuzohet për ‘korrupsion aktiv’ në zgjedhje dhe se është kapur në flagrancë duke premtuar e dhënë para me qëllim shitblerjen e votës.