Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Arrestimi i Belerit hakmarrje e verbër politike e Ramës, drejtori i policisë së Vlorës ish-bashkëpunëtor i Shullazit


 

Ish-kryeministri Berisha ka dënuar sot arrestimin në mesnatë të kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Himarën, Fredi Beleri.

Në një bashkëbisedim me qytetarët ai tha se bëhet fjalë për një verbëri politike e hakmarrje të verbër të kryeministrit Rama ndaj një kandidati të opozitës.

Ai bëri akuza edhe ndaj drejtorit të Policisë së Vlorës, Ermal Muça, duke thënë se ai ka qenë bashkëpunëtor në bandën e Emiljano Shullazit.

“Komenti im për këtë ngjarje është një veprim i verbër politik, një hakmarrje e verbër politike e Edi Ramës ndaj një kandidati të opozitës me manipulime, me angazhim të një manipulatori dhe ish-bashkëpunëtori të bandave, që drejton sot Policinë e Vlorës dhe që quhet mos gaboj, Ermal Muça.

Ky ka qenë bashkëpunëtor me bandën e Shullazit dhe banda të tjera dhe unë dënoj aktin, dhunën ndaj përfaqësuesit të opozitës, sikundër dënoj çdo akt shitblerje vote kudo që kjo të ketë ndodhur.

Por, duhet të informoj qytetarët shqiptarë se janë pasionet mafioze, qëllimet mafioze të Edi Ramës ndaj tokave të Himarës, shtytësi i vërtetë i këtyre akteve që po ndodhin në Himarë. Sikundër, përdorimi i dhunës është një akt in-ekstremis për të trembur zgjedhësit në këtë komunitet dhe jo vetëm aty.” – tha Berisha.