Ministrja e Jashtme Xhaçka i është përgjigjur kryeministrit grek Mitsotakis e homologut të saj Dendias lidhur me arrestimin e Fredi Belerit, kandidat i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në Himarë.
Me anë të një statusi në Twitter ajo shkruan se blerja e votës përbën shkelje të rëndë sipas ligjit shqiptar dhe kjo vlen për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.
Xhaçka thekson më tej se autoritetet greke duhet të presin që drejtësia shqiptare të bëjë punën e saj pa presione të jashtme e mesazhë përçarëse.
“Blerja e votave është një shkelje e rëndë në legjislacionin tonë dhe agjencitë tona të zbatimit të ligjit kanë prioritet luftimin e saj gjatë kohës së zgjedhjeve. Kjo vlen për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përfshirë vëllezërit dhe motrat tona minoritare greke që marrin pjesë në zgjedhjet tona. Kandidatura e shtetasit shqiptar Fredi Beleri, i cili kandidon për zgjedhje nga bashkëqytetarët e tij, nuk kërkon ndonjë trajtim të veçantë. Ai është i barabartë para ligjit si kushdo tjetër. I takon vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve që ta trajtojnë këtë çështje në përputhje me provat. Me respekt i nxisim miqtë tanë në Athinë që të monitorojnë nga afër zhvillimin e çështjes me durim, duke lejuar drejtësinë shqiptare të bëjë punën e saj pa presione të jashtme apo mesazhe përçarëse. Është mirë të mbajmë të informuar Brukselin, por duhet të presim edhe shfaqjen e fakteve.” – shkruan Xhaçka.