Kreu i PBDNJ-së Dule deklaroi sot se fitorja e kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ Fredi Beleri në Himarë është e sigurt duke pohuar se nga nesër nis një rrugë e re për këtë bashki.
Po kështu ai denoncoi familjarët e kandidatit socialist Jorgo Goro se po ndikojnë në procesin zgjedhor.
“Dua të denoncoj ndikimin në procesin zgjedhor nga familjarët e Jorgo Goros që po presin jashtë qendrës së votimit. Të fortët po iu bëjnë presion qytetarëve. Punonjësit e kadastrës po i bëjnë presion me dokumentet e pronësisë votuesve. Fitorja është e sigurt në Himarë. Nga e hëna fillon një periudhë e re për Bashkinë e Himarës. Rrethi vicioz në Shqipëri do të thyhet. Do të kemi një shembull të administrimit europian dhe me një zhvillim që do të jetë miqësor për komunitetin, në interes të komunitetit.” – tha Dule.