Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Qytetarët përbuzën presionet e pushtetit dhe deformimet e KQZ-së dhe qeverisë


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në rrjetet sociale pas përfundimit të procesit të votimit në gjithë Shqipërinë për zgjedhjet lokale në 61 Bashki.

Meta ka shprehur mirënjohje dhe respekt për qytetarët që sfiduan presionet nga pushteti dhe deformimet nga qeveria dhe KQZ.

Kreu i PL-së thotë se tani mision është numërimi deri në votën e fundit.

Shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë qytetarët që morën pjesë në zgjedhje duke përbuzur presionet e të gjitha llojeve të bëra nga pushteti.

Shpreh respektin më të madh për qytetarët votues, që sfiduan deformimet shumë të rënda dhe të qëllimshme të standardeve të zgjedhjeve nga qeveria dhe KQZ.

Shpreh mbështetjen dhe vlerësimin më të lartë për të gjithë anëtarët e komisioneve dhe vëzhguesit e opozitës, që megjithëse në kushtet më të vështira, kryen detyrën me përkushtim dhe vendosmëri në shërbim të votës së çdo qytetari.

Në këtë moment që procesi i votimit ka përfunduar, misioni ynë vazhdon me më shumë përkushtim se më parë për numërimin edhe të votës më të fundit.

Sot monizmi ka marrë një goditje shumë të fortë falë qytetarëve që e duan lirinë.

Të vazhdojmë pa u ndalur në këtë rrugë të hapur me kaq sakrifica për ta çuar deri në fund misionin tonë për votën e lirë dhe mbrojtjen e pluralizimit politik dhe demokracisë”-shkruan Meta.