Kryeministri Edi Rama drejtoi gjuhën e kritikave drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për menaxhimin e procesit zgjedhor, duke e konsideruar si dështim spaktakolar vonesat në nisjen e votimeve në 500 qendra të votimit në vend. Ai tha se diçka e tillë nuk do mbetet me kaq.
Sa i takon pamjeve ku disa punonjës shiheshin teksa transportonin pajisjet e identifikimit elektronik pa asnjë kujdes, Rama tha se diçka e tillë është e pafalshme kur për to janë shpenzuar miliona euro.
“Sa i përket standardit të zgjedhjeve nuk kam lexuar asnjë raport paraprak por besoj se nuk kanë pasur asgjë të veçantë në një aspekt përveç dështimit spektakolar të KQZ për të garantuar fillimin në kohë të votimit në mbi 500 qendra për mijëra e mijëra qytetarë që me korrektesë dhe dëshirë ishin vënë në radhë për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese. Kjo ishte një gjë e rëndë tronditëse për faktin se pajisjet elektronike të identifikimit kanë garantuar një transparencë shumë të madhe. KQZ në fund të ditës është për atë ditë, vërtet i pafalshëm dhe i pajustifikueshëm. Nuk do e lëmë me kaq këtë çështje aq më tepër kur pamë skenën e tmerrshme të atyre pajisjeve që hidheshin si arka bosh. Sepse janë investuar miliona e miliona euro të vëna në dispozicion nga taksat e qytetarëve”- u shpreh Rama.
22:30 – Rama: Të ruhemi nga era dehëse e fitores, turin e falënderimeve e nis nga Shkodra
Kryeministri Edi Rama në një dalje për shtyp pas pothuajse zbardhjes së plotë të panoramës në rezultateve në zgjedhjet lokale theksoi se duhet të ruhet nga kjo fitore dehëse.
Rama njoftoi se do nisë një tur falënderimi duke e filluar nga Shkodra.
“Kjo është një fitore shumë e madhe për t’u festuar. Vetë ndihem shumë i vogël përballë hartës së mbushur me ngjyrat e fitores së kandidatëve tanë nga Tropoja në Konispol. Kam dhe besoj kemi të gjithë nevojë të ruhemi nga era e fortë dehëse e një fitoreje si kjo. E kam të nevojshme të shkoj sa më shpejt në Shkodër për të nisur nga qyteti më i bekur nga zoti dhe më i keqtrajtuar nga robi, një tur falënderimi në të gjithë Shqipërinë. Nuk dua ta harrojë askush se këto ishin zgjedhje vendore, patjetër me dimension politik të imponuar nga hijet e së shkuarës që tentuan ta tërhiqnin këtë vend mbrapa dhe i shikon këto zgjedhje si aksion revolucionar si përmbysje ndaj qeverisë”, tha Rama.