Vendosni fjalën kyçe....

Lefter Maliqi kallëzon në SPAK komisionerët e KZAZ Kuçovë: U krijuan kushtet për vjedhjen e votës, s’punonin kamerat gjatë procesit të votimit


Lefter Maliqi, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka bërë kallëzim në SPAK për funksionaret dhe komisionerët e KZAZ Kuçovë.

Maliqi pretendon se gjatë procesit të votimit kishte probleme me kamerat e sigurisë. Në kallëzimin e tij rendit një sërë shkeljesh që pretendon se janë kryer më 14 maj.

“Gjatë procesit të votimit ka pasur probleme me kamerat e sigurisë në pjesën më të madhe të qendrave gjatë gjithë paradites, një fakt ky që nuk tregon se kemi transparencë dhe siguri për të garantuar votën e lirë por janë krijuar kushte për të përgatitur vjedhjen me çdo kusht të votës”, thuhet në kallëzim.

Maliqi shton gjithashtu një fakt tjetër ku thotë se në një kuti votimi nuk janë gjetur fletat e mbylljes së kutisë së votimit nga anëtarët e grupet e numërimit të votave dhe vula ishin shënuar ndryshe në procesverbal.

“Një tjetër fakt është se në Qv 3516 Vodëz, njësia Lumas, në kutinë e votimit për Këshillin Bashkiak ka patur kundërshtim nga anëtarët e GNV Nr.3 Xhafer Haxhillari dhe Qazime Dardha me shënimin se nuk u gjendën fletat e mbylljes së kutisë as në kutinë e votimit dhe as në kutinë e materialeve e cila nuk i kishte të saktësuara procedurat. Kutisë së materialeve nuk i përputheshin vulat. Vulat ishin të shënuara ndryshe në procesverbalin e gjetur”, vijon Maliqi.

Ndërsa në qendrën e votimit 3417 në Krekëz thotë se kishte probleme me pajisjen PEI dhe kanë votuar manualisht 50 persona, 45 e të cilëve pretendon se nuk figurojnë në sistemin TIMS brenda terirotirt shqiptar ditën e votimit.