Vendosni fjalën kyçe....

Osmani: Rrezik për destabilizim nëse në statutin e Asociacionit futen elementë të propozuar nga Serbia


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka qëndruar sot për vizitë zyrtare në Malin e Zi ku ka marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri malazez.

Osmani ka folur për mediat malazeze lidhur me dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë dhe çështjen e Asociacionit.

Osmani ka thënë se Kosova nuk iu ik nga obligimet dhe ka përsëritur se Asociacioni duhet të jetë patjetër në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Kushtetueses të vitit 2015.

Ne nuk ikim nga obligimet tona. Por gjithmonë duke përsëritur që Asociacioni duhet patjetër të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe në asnjë moment të mos ketë ndonjë element që mund ta bëjë shtetin e Kosovës jofunksional”, ka thënë ajo.

Më tej, Osmani ka thënë se do të jetë problematike nëse zyrtarët e BE-së kërkojnë një të mesme ndërmjet asaj që kërkon Serbia dhe asaj që propozon Kosova. Ajo thotë se nëse merren elemente nga ajo çfarë propozon Serbia atëherë gjithmonë ka rrezik që të shkohet drejt destabilizimit.

Problemi është që nëse zyrtarët e BE-së kërkojnë që edhe vetë statuti të jetë një mes në mes të asaj çfarë kërkon Serbia dhe çka propozon Kosova, aty gjithmonë ka rrezik në qoftë se merren elemente të propozimit të Serbisë, gjithmonë ka rrezik që të shkohet drejt destabilizimit”, ka thënë Presidentja e Kosovës.