Në komunikimin për mediat, pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, foli midis të tjerash se, edhe për marrëveshjen me Britaninë e Madhe për të burgosurit shqiptarë, përsa i takon transferimit të tyre drejt vendit tonë..
Manja tha se marrëveshja nuk krijon asnjë kosto për Drejtorinë e Burgjeve apo dhe buxhetit të Shqipërisë, pasi shpenzimet do të paguhen nga Mbretëria e Bashkuar, për çdo ditë qëndrimi këtu të të dënuarve.
“Kemi një marrëveshje, marrëveshje teknike, që plotëson marrëveshjen e ratifikuar në Kuvend në vitin 2021. Kriteret janë të përcaktuara në marrëveshjen e 2021. Marrëveshja që kemi arritur tani, udhëhiqet nga parimet e humanizmit, që këta shtetas të vijnë ta vuajnë dënimin pranë familjarëve të tyre. Ata për vite e vite me radhë nuk kanë kontakte me familjarët e tyre në Shqipëri. Marrëveshja nuk krijon asnjë kosto për Drejtorinë e Burgjeve apo dhe buxhetit të Shqipërisë, pasi shpenzimet do të paguhen nga Mbretëria e Bashkuar, për çdo ditë qëndrimi këtu të të dënuarve.
Marrëveshja parashikon një kohëzgjatje dy-vjeçare, për t’u parë pas dy viteve. Ata shqiptarë që do të duan të vijnë në Shqipëri, do të nisemi nga kapacitet tona. Kjo do të jetë në varësi të vendeve që kemi në dispozicion. Ka marrë përsipër që të na ndihmojë për shtimin e kapaciteteve tona, pra dhe për krijimin e kapaciteteve të tjera.”, tha Manja.