Vendosni fjalën kyçe....

Lul, të lutëm na e kurse hipokrizinë dhe kamuflimin


Nga Indrit Vokshi

Nigjova pak Lulzim Bashën në takimin me të rinj e studentë.

Po iu thoshte se politika nuk duhet të riciklojë të vjetrën por të promovojë të rinjt.

Nuk e di a ishte vetë Basha apo sozia e tij që e tha ketë. Sepse Basha që kemi njohur ne, ka qenë ricikluesi më i fuqishëm i të vjetërve dhe i robve të stërkonsumuar.

Vetëm kujtoni çfarë bëri në 2021, mori njerëz të cilët ishin harruar, njerëz të cilëve nuk u ishte dëgjuar zëri as parë figura, njerëz me ZERO aktivitet opozitar e me ZERO pëlqyeshmëri dhe, i ricikloi me fuqinë e logos PD.

Pastaj iu tha të rinjve se në politikë nuk duhet të çash vetëm pse je biri apo bija e familjes me lek apo i mbështetur nga dikush me lek!

Prapë mendova, s’ka mundësi të jetë Lul Basha ky, sepse mu kujtuan nja 10 njerëz të cilët janë promovuar në 2017 e 2021 në listat e PD, vetëm si bij, si bija apo të mbështetur nga familjet me lek. Pa asnjë meritë, kontribut apo punë.

Skam ndonjë tendencë negative personale ndaj LB, kam vetëm diçka:

Me hipokrizi e me kamuflim, duke mos treguar të vërtetat, vetëm sa do të zgjasin zvarritjen e PD.

Ka vetëm një rrugë: Katarsis. Të pranojë se ka bërë hile në garat brenda PD. Të pranojë se janë manipuluar procese dhe vota. Të pranojë se ka ndikuar duke promovuar njerëz mbi baza klienteliste. Të pranojë se ka qenë xhandar i Sali Berishës në oborrin e PD, me sopatë në dorë.

Pasi të pranojë këto, pasi të pendohet publikisht, pastaj t’i kërkojë popullit përkrahje. Nuk ka askush detyrim të vazhdojë në një autobus me një shofer i cili ka shkaktuar disa herë aksident, me shpresën se kësaj radhe nuk po shkakton aksident.

E vërteta na jep fuqi të madhe. Hipokrizia e kamuflimi, lënë dyshim. Dyshimi është dobësi. Dobësia çon në humbje. Humbja na rrënon të gjithëve bashkarisht. Prandaj duhet të këmbëngulim për vërtetësi.

Në parim jam dakord me propozimin për vetting në politikë.