Ndonëse bizneset po ankohen si asnjëherë tjetër për mungesën e fuqisë punëtore dhe tregu po e vuan ikjen e brezit të ri, papunësia tek të rinjtë shqiptarë është më e larta në Europë, sipas të dhënave të INSTAT dhe Eurostat, teksa shumë prej tyre po preferojnë të largohen, ose “refuzojnë” të punojnë në punë që paguhen pak.
Sipas INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç ishte 21,5% në 3-mujorin e fundit 2022 dhe rreth 20.7% për vitin 2022.
Në krahasim me mesataren europiane prej 6.3% (të raportuar nga Eurostat), shkalla e papunësisë tek të rinjtë shqiptarë është mëse tre herë më e lartë.
Edhe në raport me shtetet e tjera të rajonit, treguesi është shumë më negativ.
Sipas Eurostat, në Serbi, papunësia tek grupmosha 15-29 vjeç ishte 8.6% në 2022.
Në Maqedoninë e Veriut treguesi ishte 14% në 2020 dhe Mal të ZI 13.8% në vitin 2020 (e dhëna e fundit e disponueshme për të dy shtetet).
I gjithë rajoni ka arritur ta ulë papunësinë tek të rinjtë vitet e fundit (Maqedonia e Veriut e kishte treguesin mbi 20% deri në vitin 2015), ndërsa në Shqipëri në vitin 2022 papunësia tek të rinjtë shënoi një rritje të lehtë.
Shqipëria është e vetmja në Europë që e ka ende shkallën e papunësisë tek të rinjtë mbi 20% (të dhënat për Kosovën mungojnë).
Në tetor-dhjetor 2022 rezultuan në vend të papunë 75,050 persona të moshës 15-29 vjeç, ose 3,669 te rinj më shumë të papunë se njëjta periudhe e vitit të mëparshëm, me rritje gati 5.1%.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se sipas nivelit arsimor, papunësia te grupmosha 15-29 vjeç, është më e lartë për ata me arsim të mesëm (25.3) dhe më pak për arsimin 8/9 vjeçar (18.9%) dhe atë të lartë (18.7%).
Sipas gjinisë, papunësia është më e lartë tek të rinjtë (22.4), ndërsa të rejat e kanë këtë tregues 20.5%.
Në Europë, përqindja e të rinjve të papunë ulet në 6.3% në 2022
Sipas Eurostat, në vitin 2022, 4.48 milionë të rinj të moshës 15 deri në 29 vjeç ishin të papunë në Bashkimin Europian, duke përfaqësuar 6.3% të popullsisë totale të së njëjtës moshë. Duke parë tendencën afatgjatë, kjo përqindje në vitin 2022 shënon një nivel të ulët historik, që nga fillimi i matjes së serive kohore në 2009 (9.0%).
Situata midis vendeve të BE-së është shumë e ndryshme.
Përqindja e të rinjve të papunë mbi popullsinë totale, ishte nën 4% në Çeki (2,0%), Gjermani dhe Bullgari (3,3% secila), si dhe në Hungari dhe Poloni (3,5% secila).
Nga ana tjetër, përqindja ishte mbi 8% në Spanjë (11.2%), Greqi (10.6%), Suedi (10.3%) dhe Qipro (8.8%).
Krahasuar me vitin 2021, pjesa e të rinjve të papunë mbi totalin e popullsisë, është ulur në shumicën e vendeve të BE-së. Përjashtim bëjnë Qiproja, Letonia (+0,1 pikë përqindje secila), Rumania (+0,3 pikë përqindje) dhe Estonia (+0,4 pikë përqindje), ku kjo përqindje u rrit lehtë.
VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor