Vendosni fjalën kyçe....

Scholz planifikon bisedime me Putin “në kohën e duhur”


Kancelari gjerman Olaf Scholz synon të angazhohet në një bisedë me presidentin rus Vladimir Putin “në kohën e duhur”, duke sugjeruar mundësinë e rivendosjes së komunikimit pas një përkeqësimi të konsiderueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

“Telefonata ime e fundit [me Putinin] është zhvilluar goxha kohë më parë”, i tha Scholz gazetës Koelner Stadt-Anzeiger në një intervistë të botuar më 26 maj. “Por unë planifikoj të flas përsëri me të, kur të jetë koha e duhur”.

Udhëheqësit folën për herë të fundit me telefon në fillim të dhjetorit.

Gjatë asaj telefonate një orëshe, Scholz i kërkoi Putinit të tërheqë trupat e Moskës nga Ukraina, ndërsa udhëheqësi rus akuzoi Perëndimin për ndjekjen e politikave “shkatërruese”.

Gjatë një samiti në Japoni më 19 maj, krerët e vendeve të industrializuara të Grupit Shtatë (G7) njoftuan për zgjerimin e sanksioneve kundër Rusisë.

G7-ta përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësit e G7-ës thanë në një deklaratë të përbashkët se sanksionet e reja do të ndikojnë në “eksportet e makinerive industriale, mjeteve dhe teknologjive të tjera që Rusia përdor për të rindërtuar makinerinë e saj të luftës”.

Gjermania i ka dhënë Ukrainës 18 tanke Leopard 2, në mënyrë që ta ndihmojë Kievin të përballet me pushtimin rus që nisi vitin e kaluar.