Presidenti amerikan Joe Biden tha të premten se ndihej “jashtëzakonisht negativ” për vendosjen e armëve bërthamore ruse në Bjellorusi.
“Jashtëzakonisht negativ, është reagimi im”, ishte përgjigja e Bidenit kur ai u pyet për lëvizjet bërthamore ruse nga gazetarët përpara se të largohej nga Uashingtoni për në Camp David, sipas AA.
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko tha se Rusia filloi të lëvizte armët taktike bërthamore në vendin e tij gjatë një udhëtimi në Moskë.
“Duhet të përgatisnim hapësirat e magazinimit dhe gjëra të tjera. Ne e kemi bërë këtë, kështu që lëvizja e armëve bërthamore tashmë ka filluar”, tha Lukashenko për Pervy TV të Rusisë.
Ministrat e mbrojtjes ruse dhe bjelloruse nënshkruan të enjten një marrëveshje për vendosjen e armëve bërthamore ruse në Bjellorusi, e cila përcakton kushtet për mbajtjen e tyre në një strukturë të veçantë magazinimi.