Kongresmeni amerikan Ritchie Torres, ka kritikuar Sekretarin e Shtetit Blinken pas reagimit të tij të ashpër ndaj autoriteteve të Kosovës lidhur me tensionet në veri të vendit.
Demokrati i është përgjigjur postimit të Blinken-it në Twitter ku shkruan se është zhgënjyese që Blinken sulmon publikisht një aleat të SHBA-së siç është Kosova.
Torres thekson se Kosova është aleat i palëkundur i Uashingtonit që e ka treguar veten në krizën e refugjatëve afganë.
Ditën e djeshme njohësi i mirë i çështjeve ballkanike Janusz Bugajski kritikoi gjithashtu sekretarin amerikan duke thënë se destabilizimi i rajonit po shkaktohej nga mbështetja e SHBA-së për presidentin serb Vuçiç.
“Kosova është një aleat i palëkundur i SHBA-së. Kur SHBA-së i duheshin vende për të pranuar refugjatët afganë, Kosova ishte e para dhe ndër të paktat që u përgjigjën menjëherë. Është zhgënjyese për mua dhe për votuesit e mi shqiptarë të shoh Sekretarin Blinken të sulmojë publikisht një aleat të SHBA-së”, shkruan Torres në Twitter.