Vendosni fjalën kyçe....

Sulmohen ekipet e gazetarëve në Leposaviq, u vizatohen simbole nacionaliste në makina


Automjetet e dy ekipeve mediatike që po raportojnë nga Leposaviqi, Kallxo dhe RTV Dukagjini janë sulmuar nga serbët.

Automjeteve të këtyre dy ekipeve i janë vizatuar simbole nacionaliste serbe nga protestuesit.

Ndërkaq, ekipi i RTV Dukagjinit njofton se veturës së tyre i janë çarë edhe gomat.

Gazetarët që po raportojnë nga veriu janë vazhdimisht në rrezik, ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare që të mundësojnë raportim të sigurt nga komunat ku ka tensione.

Më herët serbët e mbledhur në veri kanë shkruar simbolin e luftës së Putinit në automjetin e KFOR-it amerikan.

Ky simbol që është shndërruar në simbolin e luftës së Rusisë në Ukrainë ka kohë që shkruhet nëpër mure në veri të vendit.

Para objekteve komunale në katër komunat veriore po qëndrojnë ende një numër të madh protestuesish, mes të cilëve edhe persona të maskuar.

Protestuesit që po qëndrojnë rreth automjeteve të blinduara të Policisë së Kosovës, paraprakisht kanë shkruar në to simbole të njëjta dhe të tjera të flamurit të Serbisë.

Simboli “Z” së pari u pa në tanket që ishin nisur drejt kufirit të Ukrainës, disa ditë para se presidenti rus, Vladimir Putin, të urdhëronte pushtimin e shtetit fqinj. Ky simbol u shndërrua shumë shpejt në simbol për mbështetjen e luftës së Putinit në Ukrainë dhe është parë e vizatuar edhe në ndërtesa të ndryshme në Komunën e Mitrovicës së Veriut, të banuar me shumicë serbe, në protestat në mbështetje të Putinit në Beograd, e në vende të tjera.