Vendosni fjalën kyçe....

Presidentja greke shpërndan parlamentin dhe shpall zgjedhjet e reja më 25 qershor


Presidentja greke Katerina Sakellaropoulou ka shpërndarë parlamentin e ri dhe ka shpallur zgjedhjet e reja të caktuara për më 25 qershor, njoftuan mediat lokale të hënën.

Sipas një dekreti, i cili u nënshkrua gjithashtu nga kryeministri i përkohshëm Ioannis Sarmas dhe ministrat e kabinetit, hera tjetër që parlamenti do mblidhet është më 3 korrik, pas zgjedhjeve të reja, tha agjencia shtetërore e lajmeve AMNA.

Zgjedhjet e fundit, të mbajtura më 21 maj, nuk ishin përfundimtare, me partinë në pushtet Demokracia e Re (ND) që fitoi 40.79% të votave, shumicën e ture por jo të mjaftueshme për të formuar një qeveri njëpartiake, siç shpresonte udhëheqësi i ND, Kyriakos Mitsotakis.

Të nesërmen Mitsotakis ktheu mandatin për të formuar një qeveri, duke thënë se donte zgjedhje të reja që Demokracia e Re të formonte një qeveri njëpartiake.

Të martën e kaluar, Alexis Tsipras, kreu i partisë kryesore opozitare SYRIZA dhe Nikos Androulakis, kreu i PASOK-ut socialdemokrat, gjithashtu hodhën poshtë mandatin, duke thënë se nuk mund të formonin një qeveri koalicioni.

Të mërkurën, Ioannis Sarmas, ish-kreu i Gjykatës së Auditimit, u betua si kryeministër në detyrë deri në zgjedhjet e ardhshme.