Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në një intervistë të vitit 2016 e cilësonte aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cekët dhe se nuk i përkiste të ardhmes.
Sipas Kurtit aleanca me SHBA-në ishte për ndërhyrjen e NATO-s dhe për shpalljen e pavarësisë më 2008.
“Aleanca që ka vendi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e cekët edhe e ngushtë. Është aleancë për të kaluarën, është aleancë për intervenimin e NATO-s që ka ndodhur para 17 vjetësh dhe është aleancë për shpalljen e pavarësisë, që ka ndodhur para 8 vjetëve, dhe është aleancë për njohjet ndërkombëtare. Nuk është aleancë për të ardhmen, nuk është aleancë e thellë, nuk është aleancë e gjerë. Nuk është aleancë për kombëtarizimin e shtetit, por për ndërkombëtarizimin e shtetit, thuajse jemi në vitet 90-ta. Kosova ka nevojë për konsolidim të brendshëm e jo vetëm për pranime nga jashtë”, deklaronte Kurti.
Duket se në këtë intervistë Kurti “përshkruan” edhe llojin e marrëdhënieve me të cilat i ka me SHBA-të edhe tashmë kur e drejton ai qeverinë e Kosovës ku mund të themi se nuk janë më të mirat.
Tensionet në veri të Kosovës për zgjedhjet e kryetarëve të Komunave, çështja e targave dhe themelimi i Asociacionit janë disa nga çështjet me të cilat marrëdhëniet e Kurtit me ndërkombëtarët dhe veçanërisht me SHBA-të nuk kanë qenë ndër më të mirat duke sjellë edhe përplasje apo kërcënime për sanksione ndaj tij./Hashtag.al