Vendosni fjalën kyçe....

Kapen 100 mijë euro në tavanin e autobusit që vinte nga Italia, në pranga shoferi


Rreth 100 mijë euro të padeklaruara janë kapur në Portin e Durrësit ndërsa në pranga ka përfunduar drejtuesi i autobusit ku u kap sasia e lartpërmendur e kartëmonedhave.

Eurot ishin ndarë në 8 pako dhe ishin fshehur në tavanin e autobusit të linjës Bari-Durrës që po vinte nga Italia.

Në pranga përfundoi 37-vjeçari me iniciale E.Rr. banues në Durrës.

Njoftimi

“Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme kundër paligjshmërisë dhe krimeve ndërkufitare.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Entry”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për mosdeklarim të të hollave në kufi.

Kishte fshehur një shumë të madhe parash (euro) në tavanin e autobusit të linjës Bari-Durrës, me qëllim që të mos i deklaronte në hyrje të RSh-së, arrestohet në flagrancë 37-vjeçari (drejtuesi i autobusit).

Sekuestrohen 99 700 euro të ndara në 8 paketime.

Shërbimet e Policisë Kufitare në port Durrës, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për goditjen e paligjshmërive dhe krimeve ndërkufitare, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës dhe autoritetet doganore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Entry”.

Gjatë operacionit, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, një autobus tip “Scania” i linjës Durrës-Bari-Durrës. Gjatë kontrollit të imtësishëm në autobus, me metoda bashkëkohore, në pjesën e tavanit, janë gjetur 8 paketime me kartëmonedha në euro, gjithësej 99 700 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Rr., 37 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”