Vendosni fjalën kyçe....

Dëgjohen sirenat e alarmit në Mitrovicë, arrestohet një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it


 

Tre pjesëtarë Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë një aksioni në veri të Kosovës, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, teksa ka njoftuar se në këtë aksion është arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Sirenat e alarmit janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut pasditen e së martës, teksa bëhet e ditur që qytetarët serbë kanë filluar të grumbullohen në qytet.

Sipas disa qytetarëve, është thënë se në veri të vendit është zhvilluar një operacion arrestimi nga ana e Policise së Kosovës.

Gazetarët e REL-it thanë që është dëgjuar edhe një shpërthim. Policia e Kosovës ende nuk është deklaruar mbi këto zhvillime.

Sirenat e alarmit publik në Mitrovicë të Veriut rëndom lëshohen kur nga popullata lokale kërkohet të organizohet për ndonjë ngjarje.

Sa herë që bien sirenat në veri të Kosovës, e që ka ndodhur në disa raste vitet e kaluara, grupe njerëzish të organizuar dalin në rrugë, mbyllin dyqanet, barnatoret, lokalet afariste e të tjera dhe organizojnë barrikada.

Dy javët e fundit raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë tensionuar sërish pasi në katër komunat veriore janë duke u zhvilluar protesta nga grupe të serbëve lokalë të cilët po kundërshtojnë futjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Tensionet kulumuan më 29 maj, kur në Zveçan grupe të maskuara të serbëve lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri.