Vendosni fjalën kyçe....

Çmimet Golden Globe shiten pas një vargu skandalesh


Shoqata e shtypit të huaj të Hollivudit (HFPA) do mbyllet pas shitjes së çmimeve Golden Globe, kanë njoftuar pronarët e rinj të ceremonisë.

Themeluar në vitin 1944, çmimet e filmit dhe televizionit janë përballur me akuza për mungesë larmishmërie, ndërsa vlerësimet vitin e kaluar ranë në një nivel rekord të ulët.

HFPA përfundoi shitjen e të gjitha aseteve të Golden Globes tek Eldridge Industries dhe Dick Clark Productions (DCP) për një tarifë të pazbuluar të hënën, në një marrëveshje të miratuar nga Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë.

Marrja ‘do çojë në mbylljen e HFPA dhe anëtarësimit të saj’, tha në një deklaratë kryetari i Eldridge Industries, Todd Boehly.

“Dita e sotme shënon një moment historik të rëndësishëm në evolucionin e Golden Globes,” shtoi ai.

Asnjë datë për shpërbërjen e HFPA nuk është shpallur. Sipas një zëdhënësi të Eldridge Industries, të gjithë 310 anëtarët e saj do kenë të drejtë të votojnë në Golden Globe Aëards vitin e ardhshëm.

Dick Clark Productions, që është në pronësi të Eldridge dhe Penske Media, do kthehet për të menaxhuar transmetimin televiziv të çmimeve Golden Globes, shtohet deklarata. DCP drejton gjithashtu Billboard Music Awards dhe Rockin’ Eve të Vitit të Ri të Dick Clark.

“Misioni ynë është të vazhdojmë të krijojmë ceremoninë më dinamike të çmimeve në television të shikuar në të gjithë botën,” tha Jay Penske, CEO i Penske Media dhe DCP.

“Ne kemi një ekip të shkëlqyeshëm për të rritur këtë markë ikonike dhe për të mahnitur audiencën e re dhe ekzistuese për të festuar më të mirat në televizion dhe filma.”

Çmimet Golden Globe u përballën me kritika në vitin 2021 kur ‘Los Angeles Times’ raportoi se HFPA nuk kishte gazetarë me ngjyrë mes votuesve të saj. Disa nga anëtarët e saj u akuzuan gjithashtu për deklarata seksiste dhe raciste, si dhe për marrjen e favoreve nga persona të famshëm dhe studio të ndryshme.

Skandali bëri që NBC të kundërshtonte të transmetonte ceremoninë në vitin 2022. Çmimet Golden Globes u rikthyen në rrjet vitin e kaluar pas prezantimit të politikave të reja të etikës dhe larmishmërisë.

Sidoqoftë, shfaqja u konsiderua gjerësisht si një dështim, duke arritur nivelin më të ulët historik prej 6.9 milionë shikuesish. Ceremonia në vitin 2020 ishte ndjekur nga 18.3 milionë njerëz, sipas kompanisë së vlerësimit Nielsen TV.

Çmimet e ardhshme Golden Globe janë planifikuar të zhvillohen më 7 janar 2024, megjithëse asnjë rrjet deri më tani nuk ka pranuar të transmetojë ceremoninë.