Vendosni fjalën kyçe....

SHBA kërkon lirim pa kushte të zyrtarëve policorë të Kosovës


 

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë të enjten se Serbia duhet t’i lirojë pa kushte tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që janë ndaluar nga forcat serbe, më 14 qershor.

Ne besojmë se Kosova dhe Serbia duhet të marrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën”, u ka thënë Miller gazetarëve.

Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si kidnapim nga autoritetet e Serbisë në territorin e Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Beogradi, në anën tjetër, deklaron se nuk bëhet fjalë për kidnapim, por për arrestim të policëve në territorin serb.

Autoritetet e Serbisë nuk kanë ofruar të enjten asnjë informacion lidhur me të arrestuarit.

Miller ka thënë se SHBA-ja pret që palët të ndjekin planin trepikësh që e ka prezantuar Bashkimi Evropian, pa vonesa.

“Në kuadër të kësaj, kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti duhet të garantojë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre nga lokacionet alternative dhe që të tërheqë njësitet policore nga zonat përreth”.

Komuniteti ndërkombëtar i ka tri kërkesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën në veri:

Shtensionimin e situatës atje

Mbajtjen e zgjedhjeve të reja

Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian./ REL.