Pranimi i Finlandës në NATO dhe kërkesa e Suedisë për anëtarësim në aleancën veri-atlantike, e kanë kthyer rajonin e Baltikut në një bastion të forcave perëndimore, një skenar i ri politik dhe ushtarak, shumë ndryshe nga ai që ekzistonte para sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës.
Avionët luftarakë gjermanë dhe britanikë po përgatiten për kontroll rutinë mbi hapësirën e Estonisë, në kuadër të një misioni të NATO-s për kontrollin ajror, i nisur më 2004.
Por, këtë vit, misioni ka një risi: avionët finlandezë.
Aëtarësimi i Finlandës në aleancën veri-atlantike solli një skenar të ri në rajon. Kështu thotë Vesa Vasara, ambasador i Finlandës në Estoni.
“Anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë është i rëndësishëm për mbrojtjen e NATO-s në rajonin e Detit Baltik dhe Arktikut”, thotë ai.
Vëzghuesit thonë se siguria e Estonisë dhe vendeve tjera baltike, varet nga mbështetja e drejtpëdrejtë e partnerëve të saj perëndimorë.
“Kapacitetet tona ushtarake janë shumë të kufizuara. Ne kemi 24 automjete të artlierisë howitzer, por nuk kemi tanke, aeroplanë, luftanije, helikopterë luftarakë”, thotë Viljar Veebel, studiues në Kolegjin baltik të Mbrojtjes.
Prandaj, për marinën e vogël estoneze, anëtarësimi i Finlandës, fqinjit të saj baltik, është një garanci që kufizon aftësitë e Rusisë për të operuar lirshëm në këto ujëra. Por, analistët paralajmërojnë se kjo nuk do të thotë se forcat ruse do të qëndrojnë jashtë rajonit.
“Duhet të kemi parasysh se liria e lundrimit vazhdon të ekzistojë dhe ajo nuk mund t’i mohohet as Federatës së Rusisë. Por, stërvitjet do të jenë shumë më të lehta”, thotë për Zërin e Amerikës Ardo Riboon, përfaqësues i marinës estoneze.
Moska nuk ka ndërprerë aktivitetet e saj në këtë zonë, shpjegon Robert Steadman, atasheu britanik i mbrojtjes në Estoni.
“Ne vazhdojmë të shohim aktivitet në det dhe ajër. Gjatë misioneve të kontrollit ajror, ka pasur disa interceptime të avionëve rusë në hapësirën ajrore ndërkombëtare”, thotë ai.
Për Estoninë, pranimi i Finlandës dhe kërkesa e Suedisë për anëtarësim janë lame të mira, por autoritetet estoneze paralajmërojnë se Moska po ndërmerr kundërmasa.
“Ne po shohim se ata po krijojnë divizone të reja, me trupa shtesë, në zonën tonë, por megjithatë, ne e kuptojmë se këto janë reagime ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë”, thotë Hanno Pevkur, ministër i Mbrojtjes i Estonisë.
Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim pas sulmit rus kundër Ukrainës vitin e kaluar.
Finlanda i është bashkuar aleancës, por anëtarësimi i Suedisë ka hasur në pengesa.
Hungaria dhe Turqia ende nuk e kanë ratifikuar anëtarësimin e saj. Turqia e ka lidhur pranimin e Suedisë me masa më të rrepta kundër terrorizmit.
Zgjerimi i NATO-s kërkon miratimin e të gjitha vendeve anëtare.
Analistët thonë se tani, Deti Baltik është nën kontrollin e fuqive perëndimore, një kthesë e papritur e shkaktuar nga sulmi në shkallë të gjerë i Moskës kundër Kievit./VOA