Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Alimehmetit: E paprecedentë, Erion Veliaj refuzon të betohet siç e kërkon ligji


Anëtari i PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranë Ilir Alimehmeti ka denoncuar mospraninë e kreut të zgjedhur të bashkisë Erion Veliaj në seancën e parë të këshillit.

Në një shënim në Facebook ai shkruan se sipas ligjit betimi duhet të bëhet në mbledhjen e parë të këshillit dhe se ushtrimi i detyrës nga ana e tij fillon pas betimit të kryebashkiakut para Këshillit Bashkiak.

“E paprecedentë nga Bashkia Tiranë! Kryetari i zgjedhur i Bashkisë refuzon të betohet siç e parashikon ligji dhe rregullorja në fuqi. Njoftimi i nisur nga vetë Bashkia Tiranë, pika 6 e rendit të ditës për mbledhjen e parë, flet qartë ku duhet të betohet Kryetari i Bashkisë. Neni 18, mbi mandatin e kryetarit, thotë se:

Pika 1: Shpallja e vlefshmërisë dhe betimi i Kryetarit bëhet në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak.

Pika 3: Ushtrimi i mandatit të Kryetarit fillon në çastin kur bën betimin përpara Këshillit Bashkiak.” – shkruan Alimehmeti në Facebook.