Policia ka publikuar pamjet e aksionit në kampin e muxhahedinëve iranianë në Manëz. Aksioni i policisë mëngjesin e sotëm në kamp u shoqërua me tensione, akuza e kundërakuza mes palëve.
Publikimin e pamjeve e paralajmëruan ministri i Brendshëm Çuçi e drejtori i Policisë së Shtetit Rrumbullaku në konferencën për shtyp për mediat pak më parë.
Çuçi hodhi poshtë me forcë akuzat nga MEK se ndaj anëtarëve të grupit ishte ushtruar dhunë nga policia duke theksuar se kjo mund të faktohej lehtësisht nga pamjet e kamerave të sigurisë.
Ai tha gjithashtu se ndaj policisë ishte ushtruar dhunë ndërkohë që tha se grupi ka shkelur marrëveshjen me shtetin shqiptar dhe se prokuroria ka nisur një çështje lidhur me akvitetin politik të muxhahedinëve iranianë në Shqipëri.
Ndërkohë drejtori i policisë Rrumbullaku tha se gjatë ndërhyrjes së policisë anëtarët e MEK kanë tentuar të djegin dokumente dhe serverat dhe se policia ka zbuluar 17 godina të kampit që përdoreshin si baza serverash. Lidhur me vdekjen e një personi brenda kampit, Rrumbullaku tha se për këtë do pritet ekspertiza mjeko-ligjore.