Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthim i fuqishëm në qendër të Parisit, 16 të plagosur, 7 në gjendje kritike


Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur pasditen e së mërkurës në qendër të Parisit, ku ndërtesat janë përfshirë nga flakët.

Sipas informacioneve të para, dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një rrjedhje gazi në ndërtesën trekatëshe ku ndodhet Akademia Amerikane e Parisit e muzikës, në rrugën Saint-Jacques në lagjen e 5-të të kryeqytetit francez.

Dëshmitarët në rrethin e pestë të Parisit përshkruan se kishin dëgjuar një shpërthim të madh që i parapriu zjarrit, duke shtuar se një pjesë e një ndërtese u shemb.

Policia e Parisit tha se shtatë persona ishin në gjendje kritike dhe nëntë të tjerë po trajtoheshin për lëndime të rënda.

Zëdhënësja e policisë Loubna Atta tha se ishte shumë herët për të përcaktuar burimin e zjarrit dhe nuk mund të konfirmonte raportet se ishte shkaktuar nga një shpërthim gazi, sipas France 24.

Florence Berthout, kryebashkiaku i qarkut, foli për një shpërthim “jashtëzakonisht të dhunshëm”, duke përshkruar copa xhami që ende bien nga ndërtesat.

Lagjja u rrethua dhe shumë punonjës të urgjencës mbushën zonën rue Saint-Jacques, në Bregun e Majtë të Parisit.

Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë larg në mënyrë që të mos pengojnë punonjësit e urgjencës.