Vendosni fjalën kyçe....

Inside Story/ Detajet e dosjes, provat që fundosën Fredi Belerin për blerje votash


Kutia e fundit sapo ishte numëruar dhe një grup votuesish në Himarë që e quajnë veten grekë etnikë po shfaqnin ekzaltimin e tyre.

Vota e 14 Majit kishte nxjerrë fitues me një diferencë prej 19 votash Fredi Belerin, njeriun që prej 3 dekadash zotohet për helenizimin e Himarës shqiptare.

Në qytet shpërtheu festa e natyrshme mes qindra personave që ishin sjellë me autobuzë të votonin njeriun që dikur ishte dënuar për thirrje antishqiptare. Fjalime në gjuhën greke dhe valle që mbushën shëtitoren e Himarës. Një festë që mbarte edhe ekzaltimin e suksesit të një njeriu që nga qelia e burgut ku ndodhej për blerje votash, kishte fituar.

Disa ditë para zgjedhjeve, gjashtë persona që i përkisnin koaliconit “Bashkë Fitojmë ” ishin pikasur nga Policia duke ofruar para për të blerë vota në Himarë.

Sipas dosjes hetimore, dyshohet se këta shtetas kundrejt përfitimeve materiale nga kandidati Fredi Beleri, merrnin shuma monetare nga ky i fundit dhe i shpërndanin për blerje votash. Angazhimi i jashtëligjshëm bazohej kryesisht në Njësinë Horë -Vranisht dhe fshatrat përreth.

Dyshohej se shtetasi Sihat Guraj, si një nga bashkëpuntorët më të ngushtë të shtetasit Dhionisios Alfred Beleri, pasi merr shuma të konsiderueshme parash në euro dhe lekë nga ky I fundit, këto shuma parash kryesisht ua jep personave të tretë që ka rekrutuar për këtë qëllim në zona të ndryshme në territorin që mbulon Bashkia Himarë”, citohet në dosjen hetimore.

E gjithë veprimtaria e jashtëligjshme u dokumentua përmes përgjimeve ambjentale, fotografimeve, materialeve video të autorizuara nga gjykata.

Historia nis me iniciativën e lirë të një qytetari me inicialet A.R. i cili kishte vënë në dijeni Prokurorinë e Vlorës se kandidati Fredi Beleri me një grup njerëzish nga shtabi i tij elektoral ofronin para për blerje votash.

Në datën 10 maj, katër ditë para zgjedhjeve, bashkëpunëtori i prokurorisë A.R është takuar në Himarë, në lagjen Potam me Fredi Belerin. Sipas bisedave ambientale të transkriptuara në dosje, ata kanë rënë dakort që ai të mblidhte emrat e personave të cilët do të votonin për Belerin dhe do tja dorëzonte.

Po atë ditë, shtetasi A.R ka shkuar në zyrën elektorale të Belerit dhe ka komunikuar me sekretaren e tij. Ai i ka bërë me dije se kishte folur me Belerin dhe që po i linte listën me emrat e personave.

Përsëri gjatë asaj, A.R ka komunikuar në telefon me Belerin i cili i ka thënë se do ta verifikonte listën dhe do të vazhdonin komunikimin e tyre për të pasur më pas edhe një takim fizik me të. Në vijim të kësaj bisede, më vonë gjatë ditës bashkëpunëtori I prokurorisë është takuar me njeriun e afërt të Belerit, Pandeli Kokaveshin në lagjen Potam, jashtë ambienteve të lokalit “Gelateria”. Sipas bisedave ambientale të përgjuara kanë diskutuar në lidhje me listën prej 13 personash të dorëzuar nga A.R dhe shumën monetare që duhej të përfitonte secili prej tyre në këmbim të votës pro Belerit.

Në këtë bisedë, ky shtetas i ka premtuar shtetasit A.R se do të paguante shumën prej 50 euro për person dhe 300 euro për shtetasin A.R, nëse shtetasi Dhionisios Alfred Beleri bindej sipas verifikimeve që ai do të kryente , se vota ishte hedhur pro tij. Në këtë bisedë , shtetasi Dhionisios Alfred Beleri, i premton shtetasit A.R se shumën monetare do t’ja jepte po atë natë në darkë ose të nesërmen në mëngjes”, citohet në dosjen hetimore.

Tek po i njëjti lokal, të nesërmen e 11 majit, A.R takohet me Fredi Belerin. Sipas bisedave të përgjuara ata kanë biseduar në lidhje me listën dhe më mënyrën se si do tja jepte shumën monetare. A.R e ka pyetur Belerin nëse do t’i mblidhte njerëzit dhe do tjua jepte lekët vetë por ai ka thënë që nuk merrej ai me atë punë.

Rreth orës 21:47 të po asaj dite, A.R ka komunikuar me Belerin. Kandidati i kishte pohuar se do të telefonohej nga njeriu i tij Pandeli Kokaveshi, telefonatë që mbërriti në orën 23.00. Pas një bisede, ata vendosën që takimi të bëhej po atë mbrëmje tek i njëjti lokal.

Ky është pikërisht lokali ku u bë marrëveshja për blerjen e votave në Himarë mes njeriut të afërt të Belerit dhe të riut me iniciale A.R.

“Ata janë takuar brenda në këtë lokal dhe janë ulur në një tavolinë dhe ai I ka marrë telefonin shtetasit A.R për arsye sigurie dhe bashkë me telefonin e tij i ka lënë në banak. Ata kanë bisdeuar në lidhje me zgjedhjet dhe listën që A.R i kishte dorëzuar më parë Belerit dhe shtetasi Pandeli Kokaveshi i ka thënë se katër persona nga lista i kishte kapur ai më parë dhe se mbeteshin vetëm tetë vetë nga lista”, citohet në dosjen hetimore.

Kokaveshi i ka kërkuar të shkonte me të drejt tualetit të lokalit dhe i ka dhënë shumën monetare në lek. Pasi i numëruan ishin 8 kartmonedha, prerje 5 mijë lekësh, në total 40 mijë lekë. A.R e ka pyetur nëse i ka dhënë ndonjë gjë për të Beleri dhe ai i ka thënë që do të flisnin prapë. I gjithë ky komunikim është dokumentuar me audio dhe video.

“Është bërë sekuestrimi i listës së dorëzuar nga shtetasi A.R me 13 emra dhe janë nxjerrë për të çertifikatat personale dhe kanë rezultuar se janë banorë të njësisë së qeverisjes vendore të Bashkisë Himarë, kryesisht nga fshati Palasë, Pilur dhe Himarë”, citohet në dosjen hetimore.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Top Channel