Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç në Bruksel: S’kemi udhërrëfyes për krizën në veri të Kosovës, kam frikë se gjërat kanë shkuar shumë larg


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se nuk mund të konfirmojë që ‘ka ndonjë udhërrëfyes’, për daljen nga kriza në veri të Kosovës, shkruan REL.

Këto komente ai i bëri pas takimit bilateral me ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi.

“Kemi diskutuar çështjen, substancën, e cila ishte e pashmangshme, por besoj edhe e dobishme, por atë që do të shohim nesër në terren, nuk e di…kur kemi kamionë në pritje…”, tha ai, duke iu referuar bllokimit të qarkullimit të kamionëve me mallra serbe në kufi me Kosovën.

Lidhur me zgjidhjen e situatës në Kosovë, Vuçiç ka thënë se ka frikë se ‘çdo gjë ka shkuar shumë larg’.

“Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe stabiliteti janë kyçe, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e Kurtit në atë mënyrë që janë detyruar ta detyrojnë deri në këtë moment”, tha tutje Vuçiç.

Ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi kanë zhvilluar të enjten takime të ndara bilaterale, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, Borell dhe Lajçak janë takuar sërish me kryeministrin e Kosovës, Kurtin.

Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë takim i përbashkët mes Kurtit dhe Vuçiç.

Më herët, Borell kishte shkruar në Twitter se “idetë konstruktive dhe gatishmëria për kompromis janë ato që nevojiten për të adresuar krizën e vazhdueshme në veriun e Kosovës”.

“Nga palët pritet ulja e tensioneve dhe përmbushja e obligimeve të tyre, pa parakushte”, ka shkruar Borrell në rrjetin social Twitter, pas përfundimit të takimit me shefin e ekzekutivit kosovar, dhe në nisje të takimit me udhëheqësin serb.

Më herët, Borrell ka shkruar se “situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Synojmë të gjejmë zgjidhje për deeskalim të menjëhershëm dhe një rrugë përpara”.