Policia e Shtetit ka paralajmëruar qytetarët lidhur me një fushatë mashtrimi përmes kompjuterave.
Sipas njoftimit, fushata synon qytetarë e kompani me qëllim marrjen e shumave monetare.
Qytetarët paralajmërohen që të bëjnë kujdes me komunikimet elektronike duke treguar edhe modelin që përdoret.
Ndërkohë policia thotë se ka nisur hetimet për gjetjen e kapjen e autorëve.
Njoftimi i policisë
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike është vënë në dijeni për një fushatë mashtrimi nëpërmjet sistemeve kompjuterike, e cila synon persona fizikë dhe juridikë, pa dallime të caktuara, me qëllim marrjen e shumave të ndryshme monetare.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike njofton të gjithë qytetarët, se ka nisur puna policore e menjëhershme, për parandalimin e pasojave, për hetimin e ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Për t’i shkuar në ndihmë çdo shtetasi që mund të preket nga kjo fushatë mashtrimi, bashkëlidhur këtij njoftimi do të gjeni formatin në të cilin dërgohet mesazhi i postës elektronike, si dhe dokumentin e rremë që i bashkëngjitet këtij mesazhi.
Policia e Shtetit fton qytetarët që janë prekur nga këto mesazhe të cilat iu kanë shkuar në emër të titullarëve të Policisë së Shtetit, kjo për të rritur besueshmërinë e këtyre mesazheve, të denoncojnë menjëherë në adresën e postës elektronike ç@asp.gov.al, të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, e cila është duke kryer hetime intensive dhe në ditët në vijim do të japë më shumë informacion rreth kësaj fushate mashtrimi.”