Vendosni fjalën kyçe....

Eksportuesit vijojnë të humbin konkurrueshmërinë në Ballkan nga rënia e euros; Masat lehtësuese s’po japin efekt


Rënia e lartë e monedhës europiane euro vijon të thellojë humbjet te kompanitë eksportuese, pavarësisht masave të marra nga Ministria e Financave.

Në ndihmë të tyre qeveria miratoi Aktin Normativ për ngurtësimin e pagesave paraprake të tatim fitimit deri në muajin dhjetor 2023 dhe nëpërmjet një urdhri të MFE u vendos përshpejtimi në kohë i procedurave të rimbursimit të TVSH-së. Eksportuesit ngrenë shqetësimin se ende po nuk ndihen efektet e masave lehtësuese.

Sipas Aktit Normativ të Këshilli të Ministrave “Për disa shtesa në ligjin nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”” të botuar më 23 Qershor në Fletoren Zyrtare përcaktohet se tatimpaguesit, eksportues të mallrave në regjimin e përpunimit aktiv, të cilët në vitin 2022 kanë eksportuar jo më pak se 70% të vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet, nuk paguajnë këstet që parapaguhen në muajt qershor, shtator dhe dhjetor të vitit 2023. Deri në datën e fillimit të efekteve të këtij ligji, sipas përcaktimit të nenit 72 të tij, zbatohen parashikimet e ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar.”

Për kryetarin e Proeksport Albania Edvin Prençe efektet e këtyre ndryshimeve nuk po ndihen.

“TVSH-ja nuk po rimbursohet më shpejt (sipas dakordësisë brenda një afati më të shkurtër se 30 ditë siç është normalisht), sepse edhe DPT ka procedurat e saj ligjore dhe me një urdhër të Ministres së Financave dhe Ekonomisë, ndoshta nuk ka dhënë efekt.

Ngurtësimi i tatim fitimit akoma nuk ka një urdhëresë ose informacion të saktë se si duhet vepruar dhe kush mundet ta bëjë”.

Teksa ende efektet e masave të ndërmarra nga qeveria nuk po ndihen, për sektorin fason humbjet nga zhvlerësimi i euros llogariten 60 euro për punonjës. Shqetësuese mbetet humbja e konkurrueshmërisë.

“Përllogaritja e humbjeve është e thjeshtë, 60 euro për punonjës po humbet sektori nga kursi i këmbimit, po humbasim konkurrueshmërinë me vendet ballkanike, mungesë të theksuar në likuiditet dhe pamundësi në disa raste edhe për pagesat e gjeneruara dhe të detyrueshme për t’u paguar nga bizneset.

Mungesë likuiditeti për investime të nevojshme në rinovim të impianteve prodhuese, mungesë mbështetje për promovimin dhe panairet për gjetjen e klientëve që ndoshta paguajnë më shumë e më mirë.

Vendimi për marrjen e masave erdhi pas alarmit që ngritën 7 shoqata eksportuese, prodhuese dhe të sektorit të turizmit për efektet negative nga zhvlerësimi i lartë i monedhës europiane nëpërmjet një letre drejtuar në muajin Prill Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.

Shoqata Proeksport Albania llogariti se për janar-mars 2023 humbjet te tekstilet dhe këpucët nga zhvlerësimi i euros ishin 45 mln euro krahasuar me 2022.

Bizneset kërkuan normalizim të situatës nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave, pasi siç u theksua në letër rënia e euros është në nivelet më të ulëta të ulëta historike, çka rrezikon kthimin në një ekonomi të pastër importuese të ngjashme me atë të vitit 1992 nën efektet e “terapisë shock”.

Shoqatat e biznesit pohuan se ky zhvlerësim i monedhës euro, ka dëmtuar shumë rëndë industrinë prodhuese, eksportuese dhe turizmin vendase duke drejtuar shumë subjekte drejt falimentimit.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehet me rreth 106.5-107 lekë. Në datën 9 qershor, euro arriti minimumin historik të të gjitha kohërave, në 105.62 lekë.

Në krahasim me fillimin e vitit euro është nënçmuar me 10.55 lekë, ose me 9%. Ndërsa në raport me fundin e qershorit të vitit të kaluar, euro tregtohet 12.5 lekë më pak, me rënie prej 10.5%./ D.Azo

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor