Vendosni fjalën kyçe....

Tiranë, taksat ndaj ndërtimeve të reja 236% më të lartë se investimet më 2022


Taksa e ndikimit në infrastrukture që pushteti lokal e vjel ndaj ndërtesave të reja (TNI) po e rrit vit pas viti peshën në buxhetet vendore, duke i ekspozuar buxhetet vendore drejtpërdrejt ndaj zhvillimeve në sektorin e ndërtimit.

Në vitin 2022 të ardhurat nga TNI ishin 10.1 miliardë lekë me rritje 7% në terma vjetore dhe përfaqësuan rreth 55% të të ardhurave nga taksat vendore, sipas të dhënave nga Raporti për Financat vendore nga Co-Plan për vitin 2022. Gati 73% e saj vilet nga Bashkia e Tiranës.

Bazuar në parashikimet e ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, të ardhurat nga TNI duhet të përdoren “kryesisht” për financimin e investimeve. Mesatarisht për 61 bashkitë në vend në vitin 2022, të ardhurat nga TNI mbulojnë potencialisht rreth 87% të shpenzimeve kapitale të kryera me fonde të veta, raport ky i njëjtë krahasuar me një vit më parë.

Të ardhurat nga TNI të mbledhura nga bashkitë Kavajë, Himarë, Tiranë, Sarandë dhe Vlorë rezultojnë të jenë më të larta se vlera e investimeve të kryera me fonde të veta përgjatë vitit 2022.

Të ardhurat nga TNI të mbledhura nga bashkia Tiranë gjatë vitit 2022 ishin më shumë se dyfishi i shpenzimeve kapitale të kryera prej tyre.

Në mënyrë të tërthortë, ky tregues edhe njëherë nënvizon përqendrimin e presioneve zhvillimore në bashkinë Tiranë dhe pamundësinë e bashkive të tjera për të financuar projekte investimesh. Në vitin 2015 të ardhurat nga TNI financuan vetëm 20% të investimeve kapitale në bashkinë e Tiranës.

Në 5/61 bashki të ardhurat nga TNI arrijnë të mbulojë tërësisht shpenzimet kapitale me fonde të veta (dhe t’i tejkalojë ndjeshëm ato): në bashkinë Tiranë rreth 235%, në bashkinë Vlorë rreth 211%, në bashkinë Sarandë rreth 148%, në bashkinë Himarë (144%) dhe në bashkinë Kavajë rreth 132%.

Thënë ndryshe në këto bashki, sforco për investime mund të kishte qenë edhe më e lartë nëse do t’i referoheshim të ardhurave të mbledhura nga TNI (situatë investimesh nën kapacitet nisur nga të ardhurat nga TNI).

Në bashkinë Vorë të ardhurat nga TNI mbuluan rreth 75% të shpenzimeve kapitale me fonde të veta dhe në bashkinë Kavajë rreth 72% të tyre.

Në të kundërt, në 35/61 bashki, të ardhurat nga TNI mbulojnë më pak se 10% të shpenzimeve me fonde të veta për investime dhe në 43/61 bashki, të ardhurat nga TNI mbulojnë më pak se 20% të shpenzimeve për investime. Në terma të funksioneve të qeverisjes, investimet e kryera nga bashkitë kanë pësuar luhatje në kohë.

Ndër vite, niveli i shpenzimeve kapitale ka qenë i luhatshëm dhe paraqet një korrelacion të mirë me ecurinë e burimeve financiare të veta të bashkisë (veçanërisht me të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja).

Në terma nominalë, shpenzimet kapitale shënuan një nivel prej rreth 11.6 miliardë lekë, në rënie me rreth 7% në terma vjetorë. Shpenzimet kapitale përfaqësuan vetëm 20% të shpenzimeve të kryera me fonde të veta në vitin 2022, pesha më e ulët historike në totalin e shpenzimeve me fonde të veta në periudhën në analizë.

Historikisht, ecuria e shpenzimeve kapitale të kryera me fonde të veta është përcaktuar gjerësisht nga shpenzimet për investime të kryera nga bashkitë Tiranë, Durrës dhe Kamzë. Për vitin 2022, shpenzimet kapitale të ndërmarra nga bashkia Tiranë përfaqësuan rreth 29% të shpenzimeve totale për investime të kryera me fonde të veta nga 61 bashkitë në vend.

Ky nivel investimesh rezulton të jetë në rënie me rreth 5% krahasuar me një vit më parë dhe të paraqesë nivelin më të ulët të investimeve të kryera nga bashkia Tiranë që prej vitit 2015.

E dyta për nga pesha në investimet me fonde të veta renditet bashkia Kamëz (me rreth 9% ndaj totalit) dhe në rritje vjetore me rreth 11% në vitin 2022. investimet me fonde të veta të kryera nga bashkia Durrës u vlerësuan në rreth 6% ndaj totalit dhe shënuan rritje me rreth 18% në terma vjetorë.

Rritja e investimeve vlerësohet të ketë ndodhur në 39/61 bashki përfshirë bashkitë Skrapar, Devoll, Mallakastër, Konispol, Dibër, Pustec, Poliçan, Libohovë, Kukës, Mat etj.

Në të kundërt, shpenzimet kapitale vlerësohet të jenë rritur në 22/61 bashki, përfshirë bashkitë Kurbin, Delvinë, Pukë, Gramsh, Lushnjë, Tropojë, Vau Dejes, Mirditë, Këlcyrë, Vlorë etj. (grafiku 61).

Për 8/61 bashki, të ardhurat nga TNI japin kontribut mbi mesataren në totalin e të ardhurave nga taksat vendore, përkatësisht në bashkitë Himarë (85%), Kamëz (79%), Tropojë (75%), Tiranë (64%%), Pustec (63%), Sarandë (62%), Tepelenë (60%) dhe Vlorë (57%).

Ekspertet e Co-Plan analizojnë se pesha e lartë e të ardhurave nga TNI-së në këto bashki i ekspozon buxhetet vendore drejtpërdrejt ndaj zhvillimeve në sektorin e ndërtimit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor