Vendosni fjalën kyçe....

“Të vërtetë, gënjeshtarë dhe mekanizma për të kapur kundërshtarin” – Mero Baze analizon Ramën, Berishën, Metën dhe Bashën


Botuesi i Gazetës TemA, Mero Baze në një intervistë për emisionin “Të Pakespozuarit” ka komentuar politkanët kryesorë të Shqipërisë si dhe disa nga momentet kryesore që kanë definuar veprimet e tyre politike.

Baze ka treguar si e shikon Edi Ramën në perceptimin e të bërit të politikës, pse u “prish” me Berishën dhe një histori të Bashës në momentin e marrëveshjes së 2017 me Ramën.

Gjithashtu Baze komentoi edhe situatën në Kosovë dhe qasjen e përdorur nga Albin Kurti në trajtimin e kësaj çështjeje.

Mendimi për Edi Ramën

Baze tha se Rama e ka reklamuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare si askush më parë, duke ndihmuar edhe në rritjen e turizmit në vend. Po kështu ai deklaroi se Rama ka lidhje të forta ndërkombëtare, duke arritur të bëjë miqësi dhe aleanca edhe me persona që janë kundërshtarë apo jo dashamirës.

Baze konsideron si të metë të Ramës, faktin që ai nuk e duron dot burokracinë e shtetit, ingranazhet e të cilit janë të ngadalta dhe kërkesat e tij për të mbaruar punë shpejt, shpesh fusin në telashe bashkëpunëtorë dhe nëpunës të shtetit, të cilët u duhet të firmosin edhe gjëra që nuk bëhen apo të përshpejtojnë procedura duke përfunduar në burg.

Sipas gazetarit, kjo është arsyeja pse kryeministri i pëlqen shumë liderët autoritarë si Erdogan dhe Orban, të cilët bëjnë gjithçka shumë kollaj, me një urdhër.

Edi Rama është një politikan i bërë vetë, është bërë me duart e veta. Ka dalë si njeri i rrugës, si publicist, si intelektual, është përballur me Berishën, është rrahur nga Berisha, ka mbijetuar, ka hyrë te socialistët si jo konfirmist, ka qenë ministri më problematik i të gjithë qeverive, ministër që e kanë patur frikë kryeministrat, në mënyra gati gati të pacipë ka luftuar edhe që të rrëzohet qeveria e tij, Fatos Nano, për të vënë në vend ambicien e tij për të marrë Partinë Socialiste. Në këtë aspekt, është një luftëtar i madh edhe brenda të majtës, për ta marrë të majtën. Nuk ia ka dhuruar askush, e ka marrë me betejën dhe meritat e veta.

Nga pikëpamja kulturore, është ndoshta një nga kryeministrat më të kulturuar që ka patur Shqipëria, kryeministër që vazhdon të lexojë, që vazhdon të apdejtohet (përditësohet) me të rejat më të fundit, që ende shikon të arriturat e fundit të teknologjisë, letërsisë, kinematografisë, është i pangjashëm me të tjerët. Berisha është një lloj lexuesi, por lexues i vjetër i librave. Të tjerët i “zë” libri, nuk kemi politikanë që lexojnë.

Është njeri që të nderon në raportet ndërkombëtare, agjenti më i rëndësishëm i marketingut të Shqipërisë në 100 vite. Nuk kemi patur asnjë kryeministër që ti bëjë kaq shumë marketing Shqipërisë me ato ekzibicionizmat e tij, marrëzitë e veta ndonjëherë, karagjozllëqet e veta. Lidhjet e tij ndërkombëtare janë të jashtëzakonshme, përtej këtyre miteve, Soros, marrëzive që thonë shqiptarët, është njeri që arrin të krijojë raport edhe me armikun më të madh. Dhe me Turmp-in, për pak u bë mik. Ka sensin e aleancave tepër të zhvilluar dhe i ka bërë nder të madh Shqipërisë në këtë aspekt.

Në qeverisjen e brendshme, Edi Rama nuk ka ideologji, as i thua dot i majtë, as i djathtë. E urren partinë që udhëheq, e bezdis partia që udhëheq dhe po ta vini re, e ka kthyer në një parti teknokrate, në një organizatë. PS është organizata më e tmerrshme që është krijuar në Shqipëri në aspektin e funksionimit, funksionon si një makinë, si një sahat, bëjnë punën që u takon, nuk kanë shumë të drejtë për të mënduar. Këtë punë bën. Ke këtë kutinë e votimit, kanë qenë 27 vota, dua 29, kaq e ke punën…
Në këtë aspekt e ka kapilarizuar, e ka bërë partinë moderne, nuk është më një parti e organizatave të partisë bazë, nuk është një parti që mbahet me fjalime, por një parti që thonë cilën kuti votimi ke ti, sa vota kemi patur dhe sa na duhen, kaq e ka punën.
Me këto objektiva të kapilarizuara, nga parti e ka kthyer në një organizatë të frikshme dhe të pamundshme, e cila mund të mundë vetëveten, mund të shpërthejnë luftrat e brendshme mes tyre.

Në aspektin e qeverisjes së vendit, që është shumë më i rëndësishëm, Edi Rama ka vetëm një problem, që nuk e korrigjon dot si kryeministër. Nuk e duron dot viskozitetin ligjor të shtetit. Pra, që të zbatojë procedurat. Rama e vizaton një gjë, i thotë ma bëj pak. Ai që është poshtë duhet të bëjë tender, procedurë, duhet të ketë… Shteti është i ngadaltë dhe ai nuk e duron dot. Problemet që shkaktohen me bashkëpunëtorët e tij, kam frikë se vjen nga presioni që ky ka që nuk e duron dot, që do të bëjë një gjë, e ka objektivin jo të keq por shteti funksionon si shtet dhe jo si ndërmarrje private.

Ndaj ai ka edhe adhurimin për figurat autoritare. Të gjithë të huajt çuditen, se si Edi Rama është mik me Erdoganin, mik me Mitsotaqisin, me Sorosin dhe me Orbanin, të cilët janë të gjithë armiq të njëri tjetrit. Të gjithë këta janë autoritarë dhe kur marrin vendimet u bëhen menjëherë. Kjo është në fakt ëndrra e tij e jetës, të thotë ma bëj këtë punë dhe për gjysmë ore ti ta kesh mbaruar këtë punë”-tha Baze.

Marrëdhënia me Berishën

Sipas Bazes, problemi kryesor i Berishës me bashkëpunëtorët e tij, ishte nëse ata i tregonin për “bëmat” e fëmijëve të tij. Ai e përshkruan PD-në, si një parti që Berisha e vendosi në funksion të dy fëmijëve dhe interesave të tyre ekonomike.

Gazetari foli për përfshirjen e djalit të Berishës në biznesin e armëve në Gërdec dhe deklaroi se është informuar për këtë nga njerëz mjaft të afërt të familjes Berisha. Këtë informacion, Baze ia ka komunikuar Berishës dhe më pas e ka thënë edhe publikisht, akt ky që më pas solli shpalljen e tij si “armik” nga Berisha dhe e gjithë Partia Demokratike.

Hipokrizia e tij është që donte të mos i thoshe, që fëmijët e tu bëjnë kështu. Pra ti nuk duhet të lije gjurmë përpara tij, që ti e di që djali është hajdut. Këtu e kishte problemin me mua dhe këtu vazhdojnë ta kenë. Unë i thashë, ore po të vjedh djali, e ke shumë të thjeshtë. Djali i tij drejtonte çdo gjë, çdo gjë, çdo privatizim, çdo tokë të Shqipërisë, i del emri që nga Ksamili me 30 hektarë, deri në Gjirin e Lalëzit me 300, në çdo vend, në çdo cep të Shqipërisë, toka tendera, koncesione, ankande, drejtonte të gjithë Shqipërinë. Vajza e tij kishte një studio ligjore, ku njerëzit shkonin si tek Sudja, e paguanin 5 mijë euro, sikur shkonin te Kisha e Laçit, sepse nuk i duhej gjë, vetëm të thoshin që kemi paguar edhe ne atje“, tha ndër të tjera Baze. 

Baze tha se qëndrimi i Berishës sot në politikë është i pakuptimtë dhe i pangjashëm me asnjë vend të Lindjes komuniste, ku liderët që morën pushtetin janë larguar me kohë.

Gazetari e shpjegon qëndrimin e ish kryeministrit me çdo kusht në politikë, me idenë e Berishës se “historia e ka thirrur për të sunduar këtë vend”.

Berisha është ndoshta fenomeni më i rëndësishëm i të gjithë Lindjes komuniste. Asnjë udhëheqës i Lindjes komuniste nuk e bëri këtë që bëri ky, që të rezistonte jo vetëm kaq gjatë por kaq pa moral dhe kaq pa kuptim, sepse tani është edhe pa kuptim. Ai aty rri për të vdekur, jo për të ardhur në pushtet, por për atë që e ka caktuar histori të vetën, që në fakt nuk i ka përfunduar ashtu siç ai ëndërronte. Fenomen në të gjithë lindjen, për shkak se shokët e tij, të ngjashmit e tij në Lindje, u eleminuan nga gara. Lech Walesa apo Zhelevi, u eleminuan brenda viteve 90’.

Ky iku me qamet të madh në vitin 1997 me djegien e Shqipërisë. U rikthye në vitin 2005 dhe iku prapë me qamet të madh, me vrasje me hedhje në erë të bizneseve të djalit të tij dhe vazhdon qëndron në politikë. Bëri sikur ndryshoi kryetarin, emëroi një njeri, u provua që emëroi, sepse në momentin e parë që i doli nga kontrolli, nxorri kthetrat dhe mori prapë gjënë që i dha. Ky është tipik një komunist që vetëm nuk ka të drejtë ligjore të të pushkatojë, sepse për të të vrarë, të vret, por të të pushkatojë me ligj.

Ai vetë nuk ka asnjë shpjegim se përse duhet të ikë, ai mendon se i takon ajo dhe historia e ka thirrur që të sundojë në këtë vend. Ai edhe kur është në opozitë, sillet sikur është President i vendit.

Saliu është njeri i pavërtetë, nuk ka asnjë raport me të vërtetën. Edhe brenda vetes së tij është i pavërtetë, as vetes së tij nuk ia thotë të vërtetën me të cilën ndeshet. Ai do të ndërtojë një realitet virtual, ka një auto-sugjestion ndaj vetes. Në të gjithë përpjekjet që ka bërë edhe kur bënte sikur reformonte PD-në, me KOP-in, gjithmonë kanë qenë histori fallco për të krijuar një auto-sugjestion, që ne po reformohemi dhe po ndryshojmë, por është njeri krejt i pavërtetë, një njeri që nuk përballet me të vërtetën në asnjë vend.

Për aq sa kemi patur konfidenca personale me të, është një njeri që ti i thua të vërtetën, ai thoshte po po kështu është, por na duhet kështu.

Të tregoj një histori tani. Mund të ketë qenë viti 99’ ose fillimi i vitit 2000. Ishte koha kur Meta ishte bërë kryeministër dhe kishte marrë në qeveri zotin Preç Zogaj dhe Zef Preçi dhe pastaj e hoqi Zef Preçin. Ky ishte shumë kurioz se përse e hoqi dhe e caktoi vetë pse e hoqi. Doli dhe tha, e hoqën lobet e naftës sepse kontrabanda e naftës, Angjeli, monopoli i naftës… U krijua një shqetësim, e krijoi fabulën ky, por ai ishte zëne me Ilir Metën, a ku e di pse e hoqi Ilir Meta. Edhe më kap Shefqet Kastrati me Friden Kuqin, biznesmenët e naftës edhe më thonë, ore i duhet thënë atij doktorit që këtë Llazin, ky Llazi është me ne, pra ajo që thotë doktori për monopolin e naftës ekziston, por jo ky, ne jemi përballë atyre dhe Llazi është me ne! Unë vajta i thashë, doktor ja ke futur kot se nuk është ashtu, po deshe ata të takojnë. Lërë tha, se nuk e di ti këtë, është Llazi. Edhe shkuan ata dhe ia shpjeguan se nuk ka lidhje Angjeli. Më thotë mua pastaj, ore e njeh ti këtë Llaz Angjelin ti? Po i thashë është burrë i mirë. Mirë tha, thuaj më duhet armik nja tre muaj sepse më duhet me mbiemrin Angjeli… Iku e hëngri Llazi doli monopolist, ai dy pika nafte kishte gjithsej. Pra, mekanizmi që përdor“, deklaroi Baze.

Analiza për Metën

Për Ilir Metën, Baze tha se është një nga politikanët më luftarakë, që ka bërë beteja shumë të forta dhe që është më i vërtetë se Sali Berisha, por e pëkufizoi si një person bipolar dhe që gjithmonë ka vuajtur nga ideja se PS nuk e pranoi asnjëherë.

Baze deklaroi se Meta gjithmonë e ka parë Sali Berishën si të ardhmen e tij politike dhe ka vepruar i diktuar nga ideja se si të marrë pjesë të së majtës për t’i çuar tek e djathta.

Baze tregoi edhe një histori nga zgjedhjet e vitit 2009, ku ishte takuar me Metën para se ai të bënte koalicion me Berishën dhe më pas Meta e përdori takimin për ti dhënë sinjale Berishës se “nderi”, pra koalicioni, kishte një çmim.

“Në raport me Sali Berishën, Ilir Meta është një politikan më i vërtetë, më i vërtetë brenda vetes, nuk i ka këto auto-sugjestionet e Berishës, nuk shpik realitete të cilat nuk ekzistojnë. Kur vepron, kur bën llogari dhe hidhet në betejë, i llogarit faktorët ashtu siç janë.

Ilir Meta, kam frikë se ka një problem shëndetësor, është bipolar, në sjellje. Kjo është një sëmundje që duhet të kurohet.

E njoh shumë mirë nga afër, e njoh shumë mirë si mik, si kundërshtar, e njoh si armik, në të gjithë pozicionet. Ilir Meta është një nga politikanët që po të tregoi një ngjarje, e tregon më mirë se të tjerët, ta tregon me detaje, nuk e ka fantazinë e të gënjyerit, e të bërit të ngjarjes si të duhet ty.

Ilir Meta ka aftësi të forta organizative, që nuk i ka Sali Berisha, siç i ka Ilir Meta. Është edhe njeri betejash, që ka bërë beteja shumë të forta për të mbijetuar. Këto beteja natyrisht e kanë bërë edhe pis, e kanë keqpërdorur, e kanë vënë në pozita të vështira psiqike përballë shoqërisë shqiptare.

Është një politikan fatkeq, që vuan ndjenjën që nuk e përfilli kurrë partia e madhe ku hyri, nuk u bë kurrë partia e tij, Partia Socialiste dhe iu desh të mbijetonte në politikë duke shkëputur një copë prej saj, duke krijuar një fraksion politik, për t’ja çuar të djathtës.
Nga pikëpamja politike, Ilir Meta është një renegat i së majtës shqiptare, jo se ka këputur një copë dhe ka ikur, sepse ajo është burrëri që ka bërë, sepse ka bërë betejë për atë çështje. Meta e ka kuptuar që nuk është kurrë e vetja Partia Socialiste, kurrë nuk e kanë gëlltitur dhe pranuar.

Qysh në fillimet e tij, kur ishte në krye të forumit rinor, ai në mendjen e vetë, në objektivin e vetë afatgjatë, bëri aleancë me Sali Berishën. Ishte njeri i dorëzuar te Sali Berisha qysh në opozitën e parë të viteve 90’. Jemi dëshmitarë, se si ai edhe nëpërmjet nesh, bashkëpunonte me Sali Berishën. Ishte i bindur që e ardhmja e tij politike ishte Sali Berisha.

Meta pati një moment reflektimi dhe iu duk sikur u bë figurë e rëndësishme e PS kur u bë aksidentalisht kryeministër në vitet 2000 dhe të gjithë kompleksin që kishte ndaj Berishës, që kishte bashkëpunuar me të, që kishin bërë plane si të linin Nanon në burg dhe të merrnin pushtetin bashkë, e mori dhe bëri atë gjestin radikal që e arrestoi Berishën, për të pastruar historinë e tij dhe për tu dukur. Ishte gjest i fortë, që nuk kanë këllqe të tjerët ta bëjnë, ai e bëri sepse ai është i vendosur në rrugën e tij si politikan. Pastaj kur e pa që PS e rrëzoi, përsëri u dorëzua te Berisha dhe nuk u nda më. E gjithë jeta e tij politike është si të funksionojë nga e majta për të patur një koalicion me të djathtën.

Mbaj mend një moment shumë personal në zgjedhjet e 2009. Unë e dija që PS nuk i fitonte dot e vetme pa LSI-në. Isha nga të paktët vetë, 2-3 vetë që rrinin afër Edi Ramës, që i bënim presion që të bënte koalicion me Metën. Natën e fundit, mbaj mend një darkë, ku Rama tha duhet ta bëjmë, me kuç e me maç të mblidhemi, por të nesërmen reflektoi, këto historitë, Gjinushi që e donte dhe nuk e donte… Mendoi se mund t’ja dilte edhe pa Ilir Metën, që është një nga gabimet e tij fatale të asaj kohe, sepse edhe historia e Ilir Metës mund të ishte edhe më ndryshe.

Ilir Meta doli më vete dhe unë e kam mbështetur fort, sepse më dukej një njeri që po bënte një betejë që duhet të mbijetonte. Ishte në të drejtën e tij. Ishte shkëputur nga PS në 2005, kishte betejën e parë të madhe pas shkëputjes.
Rama ndjente që Meta do ta kushtëzonte fort dhe do ti merrte një pjesë të pushtetit, por u detyrua t’ja jepte atë në 2013.

Kur mbaruan zgjedhjet dhe dolën 69 mandate Berisha, Meta 4 dhe 66 këta të tjerët.   Mua më thërret Ilir Meta në telefon dhe më thonë a mund të takohemi. Më tha, çfarë të bëj unë tani, jam në hall. I thashë nuk ke ç’bën tani, do të shkosh me Partinë Demokratike, por ti duhet të qëndrosh besnik, për premtimin elektoral që ke dhënë që Ramën dhe Berishën nuk i bëj kryeministra. I thuaj Berishës do të bëhemi bashkë, por jo ti kryeministër, një njeri tjetër nga PD.
Ai u pre në fytyrë dhe bënte këto gjestet, që kjo është shumë e rëndë. Pas dy orësh bënë deklaratë, bënë qeverinë. Kur pas dy ditësh, del dhe thotë që në minutat e fundit më dërgoi Edi Rama njërin që më tha merr 40 milionë euro vetëm mos shko te Berisha. Ky i binte të isha unë. Në fakt nuk folëm as për lekë, se për ç’lekë do flisnim?! 40 milionë…. Në fillim u nxeha shumë, pastaj u qetësova dhe bëra shkrim. E kuptova thelbin, ai po i thoshte Berishës, që më ke borxh 40 milionë euro për këtë që të bëra.

Ky është Ilir Meta. Një politikan luftëtar, nga më luftëtarët në Shqipëri, mbijetues përballë çdo skandali. Nuk ka korniza morale përballë shoqërisë. Thotë parrulla kineze kur ngelet keq, nuk e vret mendjen“, deklaroi Baze.

Si Basha gënjeu Ramën gjatë negociatave për 17 majin

Mero Baze ka zbuluar disa detaje mjaft interesante nga takimi i Lulzim Bashës me Edi Ramën në vitin 2017, ku vendosën të bëjnë marrëveshje për bashkëqeverisje.

Baze deklaroi se fillimisht kishte fituar një lloj simpatie për Lulzim Bashën, i cili për habinë e të gjithëve, u duk se bëri një marrëveshje pa lejen e Sali Berishës, por në fakt më pas zbuloi se Basha kishte komunikuar gjatë të gjithë takimit me mesazhe me Sali Berishën, ndërkohë që Edi Ramës i deklaronte se po fliste me Oerd Bylykbashin.

“Një gjë më ka bërë përshtypje te deal (marrëveshja) e Lulit me Edi Ramën në 2017. Fitova befas një lloj simpatie për këtë Lulin, se si guxoi të bënte pa pyetur Berishën, si hyri aty dhe bëri marrëveshje, që ishte e fortë, sepse hyri në bisedime dhe doli me gjashtë ministra.

E pyeta Edi Ramën, privatisht, i thashë do të më shpjegosh vetëm një gjë, gjatë kohës që ndejtët bashkë aty brenda, ky a foli ndonjëherë me Sali Berishën? Jo tha.

Po a je sigurt, i thashë unë. Po tha, shkruante mesazhe me Oerd Bylykbashin, sepse e pyeta me kë shkruan dhe më tha me Oerdin.

Unë krijova një lloj simpatie se si e mori ky (Basha) gjithë këtë kurajo pa Berishën.

Tani mbrapa e takova Lulin dhe e pyeta, kam një pyetje që më ka ngelur merak, se jam edhe njeri që shkruaj libra, këtë historinë në 2017, lëre çfarë thonë këta jo humbe apo fitove, se ishte deal i fortë politik, si e bëre ti pa Berishën?

Jo tha, me Berishën e bëra! I thashë, po unë pyeta Ramën dhe më tha që s’ka folur me Berishën ai. E gënjeva atë tha Luli, i thashë flas me Oerdin, por me Saliun flisja…

Po pse nuk e thua këtë publikisht? Po si ta them, se është turp më tha Luli… Pra çdo gjë ia ka diktuar Berisha dhe nuk e ka rruajtur fare. Rama ishte bindur.

Mekanizmi i Ramës për një opozitë të kapur

Sipas Bazes, Rama dhe qeveria u ka “ndarë” përfitime të mëdha financiare, përfshirë edhe një resort dhe një kullë 64 kate në Tiranë, njerëzve pranë Berishës dhe të birit të tij Shkëlzenit, në mënyrë që ata të jenë të kënaqur, të vazhdojnë qëndrimin në opozitë dhe kështu të sigurojnë qëndrimin e përhershëm të Ramës në pushtet.

Baze tha se kompromentimi i opozitës në këtë mënyrë, është një “llogari regresive” që nuk i shërben vendit dhe nuk lejon daljen e politikanëve dhe kundërshtarëve me të cilët mund të ketë vërtetë garë.

Problemi që kam unë dhe që e kam me Edi Ramën dhe qeverinë e socialistëve, të cilët ashtu siç janë, me të mirat dhe të këqijat e tyre, kanë një të metë themelorë, që shoqëritë si këto tonat, që duhet të ringrihen patjetër në luftën kundër korrupsionit nuk duhet ta kenë, këta janë njerëz që e dinë që Berisha është hajdut familjarisht. E dinë që të birin e tij, mund ta arrestosh për pesë ditë, t’ia gjesh letrat, e dinë që dhëndri i tij ka privatizuar parkun, e dinë që Shkëlzeni ndërton në të gjithë Tiranën, nga Lalëzi në Tiranë dhe e lejojnë, sepse kanë këtë parimin që shiko se ky na duhet të jetë në lojë, sepse na bën punë. Duke qenë ky në lojë, le të bëjë ca lekë, duke bërë ca lekë, ky ndihet i rëndësishëm, duke u ndjerë i rëndësishëm ky nuk ikën nga politika dhe duke mos ikur ai nga politika ne rrimë në pushtet. Kanë bërë një llogari regresive, duket pak si konspiracion por është e vërtetë.

Nuk mund të them dot që Edi Rama nuk e di që Shkëlzen Berisha është ortak tek ai resorti që ka dhënë ky si investitor strategjik në Lalëz… Nuk besoj dot që Edi Rama nuk e di që ai që ka marrë kullën 64 katëshe (në Tiranë), është i punësuar i Shkëlzenit… Okej nuk e ka emrin por e dimë se si funksionojnë, mund ti bësh nja dy provokime të vogla dhe ata të tregojnë vetë se kush janë dhe si funksionojnë. Dhe këta e dinë, por thonë le të bëjnë ndonjë lek.  

Ndaj them që beteja ime me Berishën nuk është obsesionale, unë nuk kam obsesion ndaj Berishës por nuk e duroj dot këtë situatë që këta bëjnë sikur Berisha ka ikur dhe ti tani pse lodhesh. Berisha jo vetëm që nuk ka ikur, por të gjithë këta të tjerët që më thonë mua që ke obsesion, luftojnë që Berisha të rrijë. Ky është problemi.

E mbajnë me idenë, na duhet ky, le të rrijë sepse ky nuk fiton më, është shkatërruesi i krahut të vet, mban një grusht idiotësh…

Atyre u duhet, por është një gjë regresive për shoqërinë, sepse duhet ta lësh garën të hapur dhe duhet ti japësh shansin shoqërisë që të dalin elementë opozitarë, që të jenë avant-garde. Unë e di që Edi Rama është më i zoti në këtë vend, por më i zoti akoma do të jetë nëse lejon që përballë tij të dalë një i zoti, por ai e ka bërë lojën që përballë Edi Ramës të jetë Saliu dhe tani Saliu e ka aset kombëtar.

Nuk është obsesion, por është një problem që nuk ka përfunduar Saliu, është një problem i pazgjidhur. Është i rëndësishëm tani, si shkatërrues i opozitës“, tha ndër të tjera Baze.

Situata në Kosovë dhe qasja e Albin Kurtit

Baze deklaroi se Kosova ka shumë gjasa ta humbasë Veriun, ndërsa tha se opozita nuk është e konsoliduar dhe nuk lufton kundër “nacionalizmit” të Kurtit edhe nga frika e humbjes së votave, por kryesisht e bazon aksionin e vet duke “përgjuar” se çfarë bën Albin Kurti.

Politika e Kosovës, ndryshe nga politika e Shqipërisë, nuk është e parcelizuar mbi të majtën dhe të djathtën historike, siç e kemi ne, që kemi caktuar që e majta janë ata që kanë qenë me Partinë e Punës dhe e djathta ata nuk kanë qenë me Partinë e Punës.

Kosova për fakt të keq e ka më të parcelizuar dhe krahinor. Partitë janë formuar në bazë të krahinave. Grupi i Drenicës ka Partinë Demokratike të Kosovës. Grupi i Dukagjinit ka Haradinajt. Grupi i Malishevës ka Limajn. Grupi i Podujevës, Prishtinës dhe Ferizajt ka LDK-në.

Lindi Vetëvendosja, e vetmja parti me karakter ideologjik, si një parti marksiste radikale, e mbështetur me një lloj nacional komunizmi, një lloj imitimi i Hoxhës, që ishte edhe trim edhe i pavarur… Ata e maskuan këtë me luftën kundër korrupsionit, që në fakt ka qenë shumë i përhapur në Kosovë dhe tërhoqën brezin e ri rreth partisë. Fituan Prishtinën duke qenë në opozitë, që ishte e vetmja gjë politike që po ndodhte në Kosovën e pas viteve të lirisë.

Ajo parti kur erdhi në pushtet u kthye në një rrezik real për Kosovën dhe sot Kosova po përballet me një betejë të ligë të Albin Kurtit, për të zhbërë historinë e Kosovës dhe për të krijuar historinë e tij në funksion të Kosovës. Ai e do Kosovën për të ilustruar historinë e vet dhe jo ti shtohet Kosovës.

Ai është i qartë, po e lodh Perëndimin, sepse e di që Përëndimi është i lodhur. Ai nuk do që të quhet Rugova i Kosovës, Hashim Thaçi, çlirimtar i Kosovës, por duhet që Kosova ose të njohë historinë e tij, sepse e vuan idenë që nuk ka bërë një luftë dhe nuk është protagonist në historinë e Kosovës, nuk e ka pranuar kurrë as çlirimin e Kosovës, as pavarësinë as Eulex-in dhe tani po bën betejë të paprinciptë për ta sanksionuar Kosovën dhe për t’u viktimizuar, për t’i thënë popullit të Kosovës që ne kemi një armik të madh, Perëndimin, që po na merr Veriun.

Veriu i Kosovës është duke ikur, për fat të keq besoj se është duke ikur. Nuk do t’i ikë Serbisë por do t’i ikë nga duart Kosovës duke u bërë një Republikë e forcave ndërkombëtare dhe atje Albin Kurti as si turist nuk do të shkojë më, për shkak se nuk do të firmosë një gjë, që do ta bënte Veriun pjesë të Kosovës, me autonomi të zgjeruar të serbëve, por do që t’ja rrëmbejnë Veriun dhe të thotë që na e rrëmbyen ndërkombëtarët ndaj nuk duhet ti kemi aleatë. Do të ilustrojë idetë e veta duke përdorur Kosovën.

Ajo që ka problem Kosova tani është opozita e cila është si opozita e Shqipërisë. Opozita e Kosovës natë e ditë përgjon Kurtin dhe thotë çfarë mendon ky për ne, sikur të gabojë ai a mund të fitojmë ne. Nuk kanë betejë të tyren. Po përgjojnë Albin Kurtin që bën marrëzira, në vend që t’i dalin përballë. Albin Kurti u ka dalë përballë atyre, ka vajtur në burg përballë tyre. Ata duhet të bëjnë betejë kundër atij nacionalizmi, sepse nuk është nacionalizëm por shkatërrim për Kosovën.

Kosova nuk është si Shqipëria, as si Serbia, Maqedonia dhe Greqia. Kosova mund të jetë vetëm një vend demokratik, sepse ndryshe ajo zhbëhet, nuk e lë Perëndimi një vend që e ka prodhuar vetë, të jetë vend me udhëheqës autoritar që nuk pyet njeri. Kosovën e kanë bërë për të qenë vend demokratike, për vend jo demokratik ishte Millosheviçi, nuk kishte pse e ndante.

Atë që u ka bërë Millosheviçi shqiptarëve, Albin Kurti kërkon t’ua bëjë sebëve të Veriut. Ka caktuar një budalla atje që rri në Komunë dhe ka tre javë pa lërë, është mbyllur ai dhe thotë do të vdes këtu. Nuk është ai Kosova, nuk përfaqëson asgjë, e kanë votuar 37 vetë”, tha Baze.