Parada vjetore e Krenarisë LGBT+ të Gjeorgjisë u evakuua nga policia të shtunën pasi qindra kundërprotestues hynë në të. Në një deklaratë, organizatorët e festivalit në kryeqytetin Tbilisi njoftuan se ishin detyruar të mbyllnin festimet vjetore pasi autoritetet nuk arritën të ruanin perimetrin, shkruan Politico.
“Zhvillimet e sotme tregojnë se ngjarjet e planifikuara të sotme ishin të parakoordinuara dhe të rëna dakord midis Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe grupit të dhunshëm Alt-Info,” tha Tbilisi Pride.
Zëvendësministri i përkohshëm i Punëve të Brendshme, Aleksandre Darakhvelidze, tha se ‘festivali i krenarisë do zhvillohej në një territor të hapur’ dhe për këtë arsye autoritetet ‘nuk ishin në gjendje të siguronin mbrojtje’.
Tymi u ngrit mbi vend, një fushë pak jashtë qytetit, ndërsa flamujt e ylberit LGBT+ u dogjën dhe aktivistët e krahut të djathtë kërcenin me muzikën tradicionale popullore gjeorgjiane. Pjesëmarrësve u ishte thënë të hipnin në autobus për siguri.
Duke reaguar ndaj sulmeve, ambasadori britanik në Gjeorgji, Mark Clayton, tha se ishte ‘i tronditur dhe i pikëlluar kur pa se pavarësisht nga planifikimi dhe masat parandaluese, festivali ‘Tbilisi Pride’ u anulua për shkak të rreziqeve të sigurisë për pjesëmarrësit’.
Ai i bëri thirrje qeverisë gjeorgjiane të ‘sigurojë që të gjithë ata që shkelën ligjin dhe prishën në mënyrë agresive një tubim paqësor të dalin para drejtësisë’.
Pavarësisht dënimeve, Shalva Papuashvili, kryetar i parlamentit të Gjeorgjisë, këmbënguli se ‘policia kishte një përgjigje të duhur’ dhe ‘siguroi siç duhet sigurinë e pjesëmarrësve dhe gazetarëve’.
Rémy Bony, drejtor ekzekutiv i OJQ-së LGBT+ Forbidden Colours, tha se vendet e BE-së duhet t’u japin strehë organizatorëve në ambasadat e tyre sepse ‘jeta e tyre është në rrezik. Mijëra huliganë antiLGBTIQ po i ndjekin ata’.