Ish-kreu i PD-së, tashmë kandidat për të marrë drejtimin e partisë Lulzim Basha tha nga Shkodra se pastrami i politikës është më i domosdoshëm se kurrë.
Gjatë një takimi me mbështetësit në Shkodër, dy javë para zgjedhjeve të 29 korrikut, ish-kryedemokrati përmendi kërkesën e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt, e cila sipas tij tregon se qeveria merr vendime vetëm për interesat kriminale të një klani.
Basha tha se drejtësia duhet të shkojë deri te Edi Rama, i cili sipas tij është peroni që mban lidhjet e krimit dhe korrupsionit.
“Për Shqipërinë sot është më imediate se kurrë pastrimi i politikës nga të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke i shërbyer interesave korruptive dhe klienteliste. Dosja e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetaj, tregoi se si kjo qeveri miraton ligje e ndërmerr vendime vetëm për interesat kriminale të një klani. Drejtësia duhet të shkojë deri në fund, deri tek Edi Rama, njeriu që mban lidhjet e krimit dhe korrupsionit, sepse askush nuk mund të jetë mbi ligjin! Parlamenti duhet t’i hap rrugë pa humbur kohë vetting-ut dhe kontrollit të imtësishëm të pasurive dhe lidhjeve kriminale. Aleanca Qytetare për Demokracinë do të jetë koalicioni ynë për të pastruar politikën e për të mundësuar vetting-un e politikanëve, listat 100% të hapura, votën e diasporës, kufizimin e mandateteve, rritjen e mekanizmave të kontrollit të qeverisë nga Parlamenti.” – tha Basha.
Ai shtoi më tej se PD-ja do i nënshtrohet një procesi të thellë rinovimi e hapjeje ndaj profesionistëve e intelektualëve duke formësuar alternativën që presin qytetarët.
“Partia Demokratike do t’i nënshtrohet një procesi të thellë rinovimi dhe hapje ndaj profesionistëve dhe intelektualëve që ndajnë vlerat dhe vizionin tonë për një Shqipëri më të mirë. Me demokratët që ishin në ballë të qëndresës anti-komuniste, me të persekutuarit dhe pronarët, me kontribuesit e pas vitit ’90, me burrat dhe gratë që sakrifikojnë prej dekadash, me të rinj e të reja nga brenda dhe jashtë vendit, Partia Demokratike do të formësojë alternativën që presin shqiptarët. Sot është koha e bashkimit të energjive, forcave, kapitaleve njerëzore e politike për t’i dhënë fund tranzicionit!” – shkruan Basha.