Vendosni fjalën kyçe....

Deputetët i hapin rrugën arrestimit të Ahmetajt, i heqin imunitetin


Deputetët i kanë hapur rrugën arrestimit të Arben Ahmetajt, duke pranuar kërkesën e SPAK.

Vendimi u mor në seancën e jashtëzakonshme që u zhvillua sot pas kërkesave të vijueshme të opozitës. Para marrjes së vendimit, Gazment Bardhi nga opozita dhe Arben Pëllumbi nga shumica lexuan raportet përkatëse mbi kërkesën e SPAK. Vendimi i sotëm i hap rrugën arrestimit të ish.ministrit të Financave e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, kontrollit të banesës dhe pasurisë.

SPAK kërkoi arrestimin e Ahmetajt të cilin e akuzon për disa vepra penale, korrupsion aktiv e pasiv, fshehje e mosdeklarim pasurie e pastrim parash.

Ahmetaj nga ana e tij përmes avokatëve Ardian Visha e Henrik Ligori ka theksuar se SPAK po bën spektakël me këtë çështje dhe se nuk po heton faktet penale por personin, njësoj si hetimet në kohën e komunizmit.

Ahmetaj ndodhet jashtë vendit, ndërsa mbrëmjen e djeshme dhe sot ka pasur dy reagime mediatike duke renditur disa argumente që sipas tij vërtetojnë pafajësinë e tij dhe nxjerrin blof akuzat e SPAK-ut.

Ish-zv.kryeministri ka lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të kthehet në Shqipëri ‘derisa e vërteta të marrë rrugën’, të vërtetë të cilën ai tha se do e nxjerrë dalëngadalë e hap pas hapi.

Opozita ka kërkuar që në fillim heqjen e menjëhershme të imunitetit të Ahmetajt ndërsa ka theksuar se shumica i dha kohën e duhur për t’u arratisur e për të shmangur përballjen me drejtësinë.

Ajo e akuzon kryeministrin Rama si ideatorin dhe përgjegjësin kryesor të skemës së inceneratorëve.