Vendosni fjalën kyçe....

Aktivistët kundër ndryshimeve klimatike ndërpresin koncertin e BBC-së (Video)


Aktivistët ndërprenë një koncert të mbajtur nga BBC të premten në mbrëmje, duke sulmuar skenën për të protestuar ndaj mbulimit të ndryshimeve klimatike nga media.

Dy anëtarë të grupit aktivist ‘Just Stop Oil’ ndërprenë natën e parë të Proms të BBC-së të mbajtur në ‘Royal Albert Hall’ në Londër. Duke mbajtur pankarta e bori, protestuesit dolën në skenë ndërsa zhurmat e forta shpërthyen nga publiku, me disa të pranishmit duke brohoritur “Off, off, off!”

“Veprimi i mbrëmjes së sotme vjen si përgjigje ndaj mbulimit të pakët nga BBC për emergjencën klimatike”, tha ‘Just Stop Oil’ në një postim në Twitter.

Protestuesit u hoqën me shpejtësi nga skena dhe u larguan nga ngjarja ndërsa pamjet e incidentit po bënin xhiron e internetit.

 

Sekretarja e Kulturës, Lucy Frazer, më vonë iu përgjigj protestës në postimin e saj në rrjetet sociale, duke i quajtur aktivistët ‘eko të zellshëm’.

“Mesazhi im është ky: Lërini njerëzit të shijojnë ngjarjet që duan dhe mos e dëmtoni kauzën tuaj”, tha ajo.

‘Just Stop Oil’ i emëroi dy demonstruesit si Pia Bastide 29-vjeçare dhe Kate Logan, 38, të dyja nga Londra.

Grupi i klimës ka kërkuar që qeveria britanike të ndalojë licencimin e projekteve të naftës, gazit dhe qymyrit dhe ka ndërprerë një sërë ngjarjesh në javët e fundit për të promovuar kauzën e saj. Vetëm disa orë pasi anëtarët dolën në skenën e Proms të premten, aktivistët ndërprenë gjithashtu një transmetim të drejtpërdrejtë të një shfaqjeje humori.

Nga 14 korriku deri më 9 shtator të këtij viti, Proms është një seri koncertesh të muzikës klasike që mbahen çdo vit në kryeqytetin britanik që nga viti 1895.

Ndërprerja e së premtes ndodhi në një shfaqje ku të gjitha biletat ishin shitur, me 6,000 njerëz të mbledhur në ‘Royal Albert Hall’ për ngjarjen natën e hapjes.