Zemra e Saimir Sulës, të riu që ndërroi jetë në spitalin ‘Hospital del Mar’ në Barcelonë në maj 2020 ka mbërritur në Shqipëri.
Lajmi është dhënë nga Ministria e Drejtësisë, sipas së cilës ka përfunduar procesi i riatdhesimit të organit, që është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Motra e Saimir Sulës, Majlinda, tha para dy ditësh se nuk ka qenë e pranishme në aktin e dorëzimit dhe se do bëjë analizë private AND-je për të verifikuar nëse zemra që ka ardhur i përket të vëllait.
“Më datë 12 korrik 2023 një grup përfaqësuesish nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Tiranës, Prokuroria e Përgjithshme, Instituti i Mjekësisë Ligjore, përfaqësuesi i Ambasadës Shqiptare në Madrid, kanë marrë në dorëzim nga pala spanjolle, zemrën e të ndjerit Saimir Sula dhe kanë përfunduar të gjithë procedurën e nevojshme sipas standardeve të parashikuara në aktet ndërkombëtare dhe legjislacionin procedurial – penal të të dy vendeve. Transporti për në Shqipëri është kryer konform procedurës së përcaktuar dhe për transportin e zemrës janë përdorur mjetet e fundit teknologjike për procedura të tilla me vështirësi teknike. Nga ky moment i takon Prokurorisë së Tiranës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, të kryejnë të gjitha veprimet hetimore të mëtejshme.” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Saimir Sula ndërroi jetë në spitalin ‘Hospital del Mar’ në Barcelonë në maj të vitit 2020 ku shkoi për t’u vizituar.
Pasditen e 8 majit 2020 Saimiri kishte temperaturë dhe shkoi në spital. Atje i verifikua se nuk kishte Covid-19, pasi testi doli negativ, megjithatë qëndroi në spital. Në dosjen hetimore thuhet se ai i ka shkruar motrës mesazhe të dhimbshme si ‘Hajde më merrni, po më marrin frymën, po vdes’.
Të nesërmen kur motra shkoi për ta marrë nga spitali, i komunikuan se zemra e tij kishte ndaluar. Kjo ka bërë që Majlinda Sula të dyshonte, dhe urgjentisht ka kërkuar kartelën mjekësore.
Spitali i Barcelonës e ka regjistruar vdekjen e shqiptarit, Saimir Sula, si natyrale dhe mjekët shqiptarë e kanë konstatuar mungesën e zemrës këtu.
Ka qenë këmbëngulja e gjatë e së motrës që ka zbuluar mungesën e zemrës pasi trupi i vëllait të saj mbërriti me avion nga Spanja. Më herët Ajo, familjarë e miq të të ndjerit kanë bërë disa protesta në Spanjë e Shqipëri duke kërkuar transparencë për atë që ka ndodhur e drejtësi.