Kongresmenia demokrate Cori Bush është anëtarja e fundit e Grupit Progresiv të Kongresit Amerikan që i bashkohet bojkotit të fjalimit të ardhshëm të presidentit izraelit Isaac Herzog, shkruan Times of Israel.
“Qeveria izraelite është përgjegjëse për zbatimin e një shteti aparteid dhe abuzimin e shfrenuar të të drejtave të palestinezëve”, shkroi Bush në Twitter të premten. Ajo këmbënguli se Kongresi ‘nuk duhet t’i japë një platformë presidentit të një vendi që nuk tregon respekt për të drejtat e njeriut’.
Herzog do vizitojë Shtëpinë e Bardhë më 18 korrik dhe do i drejtohet Kongresit të nesërmen për nder të 75-vjetorit të Izraelit. Presidenti izraelit u ftua zyrtarisht vitin e kaluar nga udhëheqja e Kongresit.
Anëtarja e parë e Grupit Progresiv të Kongresit (CPC) që shprehu pakënaqësinë e saj për fjalimin e Herzog ishte Ilhan Omar.
Bojkotit të Omarit iu bashkuan anëtarët e tjerë të CPC-së, Alexandria Ocasio-Cortez dhe Jamaal Boëman.
Anëtarët e CPC janë kritikë të shpeshtë të politikave të Izraelit dhe kanë folur për të drejtat e palestinezëve në Kongres.
Në vitin 2019, Izraeli e ndaloi Omarin dhe kongresmenen Rashida Tlaib të vizitonin vendin. Tzipi Hotovely, zëvendësministri i Jashtëm i Izraelit në atë kohë, tha se hyrja do t’u mohohet ‘atyre që kundërshtojnë të drejtën tonë për të ekzistuar’.
Vendimi për të braktisur fjalimin e Herzog u kritikua nga republikanët dhe disa demokratë. Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy akuzoi anëtarët e CPC për antisemitizëm, ndërsa Brad Schneider, një përfaqësues demokrat nga Illinois, tha se Omar ‘o bënte zgjedhjen e gabuar’.
“Nëse ka dikë që ia vlen të dëgjohet, në një vend ku ajo pretendon se ka interes për të çuar përpara të drejtat e njeriut, mundësitë për paqe, presidenti Herzog do ishte personi”, tha Schneider.
Udhëheqësi i pakicës në Kongres, Hakeem Jeffries, një demokrat nga Nju Jorku, tha se ai priste ‘një pjesëmarrje tepër të fortë’ më 19 korrik dhe se ai priste me padurim ta mirëpresë Herzogun ‘me krahë hapur’.
Marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë më pak të ngrohta nën presidentin amerikan Joe Biden, në krahasim me paraardhësin e tij, Donald Trump, një mbrojtës i vendosur i Izraelit në skenën botërore.
Muajin e kaluar, Departamenti i Shtetit tha se ishte ‘thellësisht i shqetësuar’ nga plani i Izraelit për të miratuar më shumë se 4,000 njësi banimi të kolonëve në Bregun Perëndimor.