Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli përdor inteligjencën artificiale në sulmet ajrore – Bloomberg


Ushtria izraelite thuhet se ka përdorur inteligjencën artificiale (AI) për të përshpejtuar përcaktimin e objektivave të sulmeve ajrore dhe për të trajtuar planifikimin logjistik për sulmet e mëvonshme mes tensioneve në rritje në territoret e pushtuara palestineze.

Sistemi i shënjestrimit i bazuar te AI mund të përpunojë me shpejtësi sasi të mëdha të dhënash për të dhënë përparësi dhe për të caktuar mijëra objektiva si për avionët me pilotë njerëzorë ashtu edhe për dronët, raportoi Bloomberg të dielën, duke cituar zyrtarë ushtarakë izraelitë.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) përdorin gjithashtu një program tjetër të AI, i cili mund të organizojë logjistikën e kohës së luftës, të tilla si llogaritja e ngarkesave të municioneve dhe propozimi i një plani për çdo sulm.

Zbulimi vjen pasi Jeruzalemi Perëndimor shtoi sulmet ajrore në Bregun Perëndimor të pushtuar në javët e fundit, duke kryer atë që e quajti një ‘peracion i përqendruar kundër terrorizmit’. Të paktën 15 persona u vranë gjatë një sulmi ajror më 8 maj në territorin bregdetar palestinez të Gazës. IDF ka vazhduar gjithashtu të godasë objektiva në Siri, duke përshkallëzuar tensionet me armikun kryesor Iranin.

Sistemet e AI të përdorura nga IDF mbështeten te operatorët njerëzorë për të verifikuar dhe miratuar çdo plan sulmi ajror dhe bastisjeje, tha Bloomberg.

“Ajo që dikur kërkonte orë, tani kërkon minuta, me disa minuta më shumë për verifikimin njerëzor,” i tha Bloomberg-ut një Kolonel i IDF-së.

“Me të njëjtin numër njerëzish, ne do bëjmë shumë më tepër.”

Megjithatë, ekspertët kanë ngritur shqetësime për pasojat e mundshme të një llogaritje të gabuar të AI, si dhe gjasat që njerëzit përfundimisht të largohen nga procesi i vendimmarrjes ndërsa teknologjia ecën përpara.

“Nëse ka një gabim në llogaritjet e AI, dhe nëse AI është i pashpjegueshëm, kë fajësojmë për këtë gabim?” tha Tal Mimran, një profesor i Drejtësisë dhe ish-këshilltar ushtarak në Universitetin Hebraik të Jerusalemit.