Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria ruse kërkojnë 20 vjet burg për Navalnyn


Prokurorët shtetërorë i kanë kërkuar një gjykate në Rusi që ta dënojë politikanin opozitar Aleksei Navlany me 20 vjet burgim për akuza që përfshijnë edhe ekstremizmin.

Agjencia shtetërore e lajmeve TASS i ka cituar prokurorët të kenë thënë më 20 korrik se i pandehuri tjetër afër Navalnyt, Daniel Kholodny, të dënohet me 10 vjet burgim.

TASS e ka cituar avokatin të ketë thënë se vendimi final për këtë rast do të merret me 4 gusht.

Kritiku i ashpër i Kremlinit është akuzuar për gjashtë shkelje penale, përfshirë krijimin dhe financimin e një komuniteti ekstremist, thirrje për ekstremizëm, rehabilitim të nazizmit dhe përfshirje të të miturve në akte të rrezikshme.

Ky rast lidhet me Fondacionin Kundër-Korrupsionit të Navalnyt, e cila, me kërkesë të Zyrës së Prokurorit, është shpallur ekstremiste më 2021, dhe i janë ndaluar të gjitha aktivitetet në Rusi.

Navalny ka thënë në rrjetet sociale se pret dënim 15-20 vjet, pavarësisht se ai pretendon që në gjyqin kundër tij janë prezantuar prova “të pakuptimta”.

Në një ndër postimet e fundit të tij në Telegram, Navalny e ka kritikuar ashpër Qeverinë ruse, duke thënë se shteti është “duke u zhytur në një lumë të baltës ose gjakut, me eshtra të thyera, me popullsi të dobët, të varfër, dhe me dhjetëra mijëra persona të vdekur në luftën më të pakuptimtë në shekullin 21”.

Ai vazhdon ta quajë shtetin rus “inteligjencë pa vetëdije”.

Gjyqi ka nisur më 6 qershor, pasi ekipi ligjor i Navalnyt dhe Kholodny, i cili është drejtor teknik i kanalit të Navalnyt në YouTube, ka kërkuar nga gjyqtari që seancat të mbahet në Moskë, pasi të dy janë të regjistruar atje dhe se gjyqi ka të bëjë me dyshime për veprime në Moskë.

Gjykata e ka refuzuar kërkesën dhe ka vendosur të gjyqi të mbahet rreth 260 kilometra në lindje të Moskës, në një burg ku mbahet Navalny.

Navalny veçse është duke e vuajtur dënimin me burgim prej 11 vjetësh e gjysmë.

Ai është arrestuar në janar të vitit 2021, pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku është trajtuar për helmim me agjentin nervor Noviçok.

Ai ka thënë vazhdimisht se helmimi i tij është urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Bashkimi Evropian e ka vendosur më 20 korrik në listën e sanksioneve shefin e burgut ku po qëndron Navalny.