Vendosni fjalën kyçe....

Ministri çek bën thirrje për krijimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës


BE-ja në formën e saj e tanishme nuk është aq e fortë sa sugjeron popullsia dhe fuqia e saj ekonomike, tha ministri çek për Çështjet Evropiane Martin Dvorak në një intervistë me EURACTIV.cz.

Duke pranuar se ky pozicion ‘nuk është aspak popullor’, ministri propozoi që Bashkimi Evropian të shndërrohej në ‘një Federatë Evropiane ose në Shtetet e Bashkuara të Evropës’, gjë që ai pretendoi se do ta vendoste atë në një pozicion ku mund të ishte ‘një partner vërtet i barabartë në lojën midis Kinës, Amerikës ose Rusisë dhe Indisë’.

BE-ja aktualisht klasifikohet si një konfederatë informale ose një bashkim shtetesh sovrane që funksionon përmes një sistemi hibrid të ndërqeveritarizmit dhe mbinacionalizmit.

Federalizimi i bllokut do e kthente atë në diçka të ngjashme me SHBA-në me një qeveri të vetme të centralizuar, e cila do kishte autoritetin përfundimtar mbi shtetet anëtare.

Ndërsa qeveria aktuale çeke ka ngurruar të thellojë integrimin e saj me BE-në, së cilës iu bashkua zyrtarisht në vitin 2004, Dvorak ka qenë një mbështetës i zëshëm i bllokut dhe ka kritikuar euroskepticizmin në vendin e tij.

“Mendoj se debatit në vendin tonë i mungon krahu eurooptimist apo europozitiv dhe kjo është ajo që dua të sjell në debat,” shpjegoi Dvorak.

Në intervistën e tij me EURACTIV, ministri ndau gjithashtu qëndrimin e tij për reformat e BE-së dhe veçanërisht heqjen e vetos së vendeve të BE-së në fusha të caktuara të politikave.

“Nëse e përkufizoj veten si federalist, atëherë padyshim që ky do ishte një opsion i mundshëm për mua, por, nga ana tjetër, jam shumë i vetëdijshëm se situata politike ende nuk është pjekur për këtë. Unë as nuk e di në këtë pikë nëse do ndodhë ndonjëherë,” tha ai.