Vendosni fjalën kyçe....

Kapen rreth 40 mijë franga të padeklaruara në Portin e Durrësit, procedohet 38-vjeçari


Një sasi prej rreth 40 mijë frangash zviceriane janë bllokuar nga policia në Portin e Durrësit.

Pas kontrollit në një makinë ‘VW’ në pronësi të një 38-vjeçari u gjet shuma e padeklaruar që po futej në Shqipëri.

I riu me iniciale A.S. banues në Zvicër është proceduar në gjendje të lirë.

Njoftimi

“Goditet një tjetër rast i tentativës për të futur në Shqipëri, shuma parash të padeklaruara në doganë. Tentoi të fuste në vendin tonë, 39 310 franga zvicerane dhe 625 euro që i kishte fshehur në automjetin e tij, me qëllim mosdeklarimin konform ligjit, procedohet në gjendje të lirë 38-vjeçari. Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, kanë intensifikuar kontrollet, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të finalizuara për parandalimin e futjes së sasive të konsideruehsme të parave të padeklaruara, që dyshohet se janë të përfituara nga veprimtraria kriminale. Bazuar në analizën e riskut dhe në inteligjencën policore, në bashkëpunim me autoritetet doganore, është organizuar dhe finalizuar faza e dytë e operacionit policor të koduar “Destinacioni”.

 Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë Kufitare kaluan në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjetin që drejtohej nga shtetasi A. S., në të cilin, shërbimet e Policisë gjetën 39 310 franga zvicerane dhe 625 euro, të cilat shtetasi A. S. tentoi t’i kalonte pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shuma totale e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa për drejtuesin e automjetit, shtetasin A. S., 38 vjeç, banues në Zvicër, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”