Irani ka thirrur ambasadorin suedez në Teheran për të protestuar kundër përdhosjes së përsëritur të librit të shenjtë të Islamit dhe për të kërkuar llogari nga qeveria suedeze për nxitjen e ndjenjave të muslimanëve në mbarë botën, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Iranit, IRNA, përcjell AA.
Ambasadori suedez Matthias Lentz u thirr në Ministrinë e Jashtme të enjten për të shprehur “protestën e fortë” të vendit për “sakrilegjin” e Kuranit të Shenjtë, njoftoi agjencia e lajmeve, duke cituar një deklaratë të zëdhënësit të ministrisë Nasser Kanaani.
“Ne dënojmë fuqishëm përdhosjen e përsëritur të Kuranit të Shenjtë dhe shenjtërive islame në Suedi dhe e mbajmë qeverinë suedeze plotësisht përgjegjëse për pasojat e nxitjes së ndjenjave të muslimanëve në mbarë botën.
“Vazhdimi i përdhosjes së vendeve të shenjta islame dhe përhapja e urrejtjes në këtë mënyrë konsiderohet një shembull i përsosur i dhunës së organizuar dhe një veprim armiqësor kundër dy miliardë popullsisë muslimane të botës, njerëzve besimtarë të Zotit dhe pasuesve të feve qiellore”, tha zëdhënësi.
Ambasadori suedez e siguroi ministrinë se do të informonte qeverinë e tij “menjëherë për protestën e Teheranit”, sipas IRNA.
Të enjten herët në mëngjes, një turmë irakianësh sulmuan Ambasadën e Suedisë në Bagdad dhe i vunë flakën në shenjë proteste ndaj djegies së një kopje të Kuranit më 28 qershor nga Salwan Momika, një burrë i lindur në Irak, i cili tani jeton në Suedi.
Ministria e Jashtme e Suedisë dënoi sulmin ndaj ambasadës së saj në Bagdad, duke e quajtur atë një “shkelje të rëndë” të Konventës së Vjenës.
Shumë vende, duke përfshirë SHBA-në, Rusinë, Turqinë, Irakun, Pakistanin, Indonezinë dhe Afganistanin, si dhe shtete të tjera islamike, e dënuan sulmin.
Pas sulmit në misionin diplomatik të Suedisë, Momika përdhosi një kopje tjetër të Kuranit duke shkelur mbi të dhe flamurin irakian përpara ambasadës së Irakut në Stokholm.
Në përgjigje të aktit të përsëritur, qeveria irakiane paralajmëroi Suedinë se do të prishte marrëdhëniet diplomatike nëse vazhdojnë përdhosjet e tilla të librit të shenjtë të muslimanëve.
Bagdadi e shpalli gjithashtu persona non grata ambasadorin e Suedisë në vend pasi libri i shenjtë u përdhos për herë të dytë brenda një muaji, duke e urdhëruar atë të largohej nga vendi.