Procesi gjyqësor për inceneratorin e Fierit shtyhet për në shtator.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se seanca e radhës është caktuar më 6 shtator, pasi avokatët e ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka nuk kishin gati konkluzionet.
Ata i kishin kërkuar gjykatës t’u viheshin në dispozicion disa fashikuj të tjerë pasi deri më tani janë njohur me 100 fashikuj. Më pas do të bëjnë konkluzionet e mbrojtjes.
Avokati i Klodian Zotos deklaroi se do ta bëjë mbrojtjen pasi të dëgjojnë avokatet e ish-ministrit Lefter Koka.
Avokati i Regan Merdanit paraqiti sot dokumente që provojnë problemet shëndetësore të klientit të tij.
Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën duke kërkuar 10 vite burg për ish-ministri e Mjedisit, Lefter Koka në lidhje me inceneratorin e Fierit.
Po ashtu, për ish-sekretarin e Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, është kërkuar dhe 7 vite burg. Prokuroria e Posaçme kërkon 12 vite burg për Klodian Zoton, ndërsa u kërkua 4 vite burg për Arben Dervishajn.
Të katër të akuzuarit përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar nëse shpallen fajtor.