Vendosni fjalën kyçe....

Basha nga Gjirokastra: Do çlirojmë ekonominë, president nga populli, veting për politikanët e kufizim mandatesh


Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili garon për t’u rizgjedhur më 29 korrik, tha nga Gjirokastra se duhet bërë gjithçka për t’u thënë forcë e pushtet qytetarëve.

Në një takim me një grup qytetarësh, ai tha se për kthimin e besimit të publikut te politika duhet që kjo e fundit të ndahet nga politikanët e korruptuar.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që t’u japim forcë dhe pushtet qytetarëve që ata të vendosin për të ardhmen e tyre, duke u kthyer atyre besimin te vota dhe politika! Për kthimin e besimit tek politika është e rëndësishme ndarja e politikanëve të korruptuar dhe inkriminuar nga politikanët e pastër dhe kjo mundësohet përmes vetting-ut. Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç asaj që dikton pastrimi i politikës nga të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke i shërbyer interesave korruptive dhe klienteliste. Mjafton dosja e Inceneratorëve për të kuptuar se si kjo qeveri vepron si një organizatë e strukturuar kriminale. Në kulmi e emigrimit qeveria shqetësohet për t’u shërbyer bandave kriminale duke legalizuar kanabisin, apo duke u vrarë shpresat studentëve me ligje anti-kushtetuese. Prandaj bëhet gjithnjë e më e domosdoshme rritja e mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë, pavarësisht kush e drejton atë.” – tha Basha.

Ai shtoi se për të pastruar politiken duhet ndryshuar formula e mocionit të besimit e mosbesimit për qeverinë, duhet hequr kontrolli politik ndaj administratës, duhet bërë zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit nga publiku.

Basha tha se Aleanca Qytetare për Demokracinë do çlirojë ekonominë e do zhbëjë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.

“Duhet të ndryshojmë formulimin e Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit;

Numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti;

Heqjen e kontrollit politik ndaj punonjësve të administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë;

Zgjedhjen e drejpërdrejt të Presidentit nga populli, si mbartës dhe balancues i pushteve.

Aleanca Qytetare për Demokracinë do të jetë koalicioni ynë për të çliruar ekonominë dhe për të çuar përpara ndryshimet kushtetuese që do të zhbëjnë ato të 2008-ës, duke mundësuar: Listat e hapura; Vetting-un e politikanëve; Votën e diasporës; Kufizimin e mandateteve. Partia Demokratike do modernizohet, do ripërtërijë rradhët e saj e do hapet ndaj të gjithë atyre që kanë të njëjtat vlera me ne, për të ndërtuar së bashku alternativën që duan dhe presin shqiptarët.” – mbyll Basha mesazhin në FB.